Klan M: Ahmeti takon Zaevin, është herët për fjalën e fundit

Sikurse kemi njoftuar, sot në Shkup, me kërkesën e kreut të LSDM-së Zoran Zaev është bërë takimi me kreun e BDI-së Ali Ahmeti. Burime të afërta me këtë të fundit, thonë për Klan M se takimi është zhvilluar në një atmosferë më të relaksuar në raport me retorikën e deridjeshme që fliste për raporte të ftohura mes këtyre dy partive. Të njëjta burime thonë se është biseduar për mundësinë e vazhdimit të koalicionit qeverisës BDI-LSDM por për momentin nuk mund të thuhet se takimi I kësaj pasditeje është determinues. Klan M mëson se takimet mes socialdemokratëve dhe integristëve do të vazhdojnë edhe gjatë ditëve në vijim. Në të njëjtën kohë nga partia e Ahmetit kanë lënë të kuptohet se nuk janë të mbyllura as kanalet e komunikimit me VMRO-DPMNE-në, por rikujtojnë të ashtuquajturat “vijat e kuqe” për bashkëpunim eventual: mosprekjen e Marrëveshjeve të Ohrit dhe Prespës si dhe Traktatit të miqësisë me Bullgarinë dhe thellimin e reformave për të përshpejtuar integrimin europian të vendit. Kjo, si dhe në rastin e koalicionit eventual me socialdemokratët, nuk nënkupton heqjen dorë nga përcaktimi që Naser Ziberi të jetë Kryeministër./KlanMacedonia