Kinë, burg për ata që përhapën lajme të rreme për epideminë e koronavirusit

Gjykatat kineze kanë marrë në dorë situatën e krijuar nga epidemia e koronavirusit, duke përcaktuar masa të ashpra ndaj atyre që përhapin lajme të rreme, por jo vetëm.

Kështu Gjykata e Lartë e Heilongjiang ka parashikuar deri në 15 vjet burg për ata që përhapin “lajme të rreme” për epideminë , dënim me vdekje për ata që përhapën qëllimisht koronavirusin dhe deri në 7 vjet burg për ata që refuzojnë karantinën.

Sipas South Morning Post, megjithatë, nuk është ende e qartë se çfarë nënkuptohet me “përhapjen me qëllim të virusit”. Gjykata e Lartë e Pekinit, megjithatë, ka garantuar se do të luftojë trafikimin e drogave të falsifikuara.

Ndërkohë në Kinë, numri dy i Kryqit të Kuq Hubei, Zhang Qin, është pushuar nga puna për pakujdesi në lidhje me menaxhimin e pacientëve gjatë emergjencës së koronavirusit.

Qin, së bashku me dy drejtues të tjerë Chen Bo dhe Gao Qin, dyshohet se keqmenaxhuan shpërndarjen e fondeve dhe materialeve për të frenuar epideminë.

Ata gjithashtu akuzohen për shpërndarjen e informacionit të pasaktë.

Pekini urdhëroi linjat ajrore që të mos ndërpresin fluturimet drejt vendeve të huaja që nuk kanë mbyllur kufijtë për udhëtarët kinezë.

“Për t’iu përgjigjur nevojave të udhëtarëve brenda dhe jashtë vendit, dhe për të siguruar furnizime në këtë periudhë të veçantë, administrata u kërkon linjave ajrore të garantojnë vazhdimësinë e transportit në vendet që nuk kanë vendosur kufizime të udhëtimit”.

Kina gjithashtu e bëri të ditur se Shtetet e Bashkuara “kanë shprehur vazhdimisht gatishmërinë e saj për të ofruar ndihmë.”

Dhe si rezultat, “shpresojmë se një ndihmë e tillë do të materializohet së shpejti,” tha zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme Hua Chunying, gjatë një konference për mediat.

E njëjta zëdhënëse foli edhe për rolin e Italisë dhe si reagoi ndaj urgjencës. “Ne kemi vërejtur reagimin e Italisë për këtë shpërthim.

“Shpresojmë që pala italiane të bëjë një vlerësim objektiv, të drejtë, të qetë dhe racional të epidemisë, dhe do të kuptojë dhe mbështesë përpjekjet e qeverisë kineze për ta kontrolluar atë. Masat përkatëse që do të merren duhet të jenë në përputhje me rekomandimet e OBSH-së, të mos tejkalojnë nivelet e arsyeshme, duke shmangur ndikimin në shkëmbimet normale të personelit.”