Keshilltari i ASH-së Osama Muadini përkujton neglizhencën e Filipçes për shpërthimin në Rramanli

Këshilltari i Aleancës për Shqiptarët Kumanovë, Osama Muadini ka përshëndetur vendimin e ministrisë së shëndetësisë që t’i dërgojë në spital të lënduarit nga krisja e bombolës së gazit në lokalin në Ferizaj.

Këtë vendim Muadini e ka krahasuar me shpërthimin e bombolës së gazit në fshatin Ramanli të Kumanovës e e ka pyetur Ministrinë e Shëndetësisë së Maqedonisë se pse ky institucion u sjell në mënyrë neglizhente ndaj të lënduarve shqiptarë.

“Sot, Republika e Kosovës ka vendosur që të lënduarit e shpërthimit në Ferizaj t’i dërgojë për trajtim në Turqi. Ky është lajm i mirë për gjithë dhe ne jemi të lumtur. Por, sot nuk mund të mos pyesim se si u soll shteti ynë (Maqedonia e Veriut) ndaj personave të djegur në rastin e f. Rramanli të Kumanovës? Pse edhe të djegurit e Rramanlisë nuk i dërguan diku, por e lanë që shumica e tyre të vdesin? Nëse shteti atëbotë pat heshtur dhe u bë i shurdhër, cili ka qenë roli i zëvendësministrit shqiptar të Shëndetësisë? Çfarë ka bërë ai dhe pushteti për rastin e Rramanlisë? Për fat të keq, konstatim dëshpërues.”, ka shkruar Muadini.