Këngëtarët që e argëtuan popullin shqiptar me koncerte falas gjatë pandemisë

Koncertet e skenës këtë vit u zhvendosën në ekranet televizive për shkak të pamundësisë për t`i shijuar ato si vitet e kaluara, shkruan lajmi.net.

Teksa këtë vit shumë familje humbën më të dashurit e tyre dhe ishin tejet të frikësuar nga mungesa e informacioneve për këtë virus vdekjeprurës, këngëtarët ishin ata që u munduan sado pak t`i lehtësonin merakosjet e popullit me performancat e tyre.

Ndër artistët që përcollën emocione të mëdha perms ekranit ishin:

Bujar Qamili, i cili këndoi këngë popullore për rreth 60 minuta në qendër të qytetit të Shkodrës, duke përcjellë mesazhe shprese për qytetarët, të cilët ndiheshin tepër të frikësuar nga pandemia.

Në një skenë të improvizuar dhe të ngritur në mes të Shkodrës ai  ka kënduar disa nga këngët më të njohura shkodrane, ndërsa banorët kanë dalë disa në ballkone e disa në dritaret e shtëpive të tyre dhe kanë nsiur të duartrokasin.

Sabri Fejzullahu mbajti koncertin e organizuar në bashkëpunim me Komunën e Prishtinës për të mbajtur moralin e gjithë qytetarëve, pasi që e gjithë Kosova ishte e mbyllur në karantinë nga pandemia COVID-19.

Në fillim të këtij koncerti, Sabri Fejzullahu ka mbajtur një fjalim prekës për gjendjen në të cilën ndodhet Kosova dhe bota në përgjithësi, e në veçanti Prishtina e tij.

“Ju dua shumë, ua hongsha zemrën kudo që jeni” u ka thënë ai prishtinasëve.

Xeni, dhe djali i tij Korab Jetishi performuan në koncertin i cili u mbajt në Gjakovë por u ndërpre pas pak minutash pasi nuk u mbajt distanca e sugjeruar.

Të njëjtit interpretuan disa nga këngët më të njohura qytetare, ndërsa u duartrokitën nga banorët e qytetit të Gjakovës.

Këngëtari i dashur nga gjithë shqiptarët Dani, ka interpretuar drejtpërdrejt nga qyteti i Pejës, për t’i argëtuar qytetarët që aso kohe qëndronin të mbyllur në shtëpi.

Dani u sigurua që t`i interpretonte këngët më të njohura që ka sjell ndër vitet e fundit.

Dafina Zeqiri ishte e ftuara e Erion Veliajt për të interpretuar gjatë koncertit në Tiranë më 29 nënor, ku ajo interpretoi  disa këngë të saja si “Lule Lule”, “La Reina” e tjera për publikun shqiptar.

Flori Mumajesi, Bruno dhe Klajdi Haruni vendosën të mbanin një koncert falas në kushte pandemie për banorët e izoluar në një lagje të qytetit të Tiranës.

Ata performuan këngë të ndryshme të cilat shoqëruan banorët e lagje.

Ndonëse koncertet pa audiencë nuk mund të dhurojnë ndjesinë e njëjtë sikurse ato me shumë brohoritje apo duke kënduar së bashku, ajo çka u vlerësua ishte angazhimi i tyre për t`ua bërë sa më të lehtë këto kohë të vështira qoftë edhe me një këngë.