Keita: Jam përmirësuar shumë në Liverpool

Naby Keita ka vuajtur nga lëndime të shumta që kur është transferuar në Liverpooli, mirëpo mesfushori nga Guinea beson se ai është përmirësuar shumë nën drejtimin e trajnerit Jurgen Klopp.

Saga e transferimit të Naby Keitas në Anfield mori fund në verën e vitit 2018, kur Liverpooli arriti më në fund ta sigurojë nënshkrimin e futbollistit dhe marrëveshjen me klubin e tij.

Keita erdhi në Anfield pasi e fitoi një reputacion të mirë me paraqitjet e tij në Bundesligës për RB Leipzigun. 25-vjeçari i bëri 33 paraqitje në sezonin e tij debutues për Liverpoolin, mirëpo nuk arriti të luajë në finale shkaku i një lëndimi.

Ndërsa, këtë sezon ai ka luajtur në 18 ndeshje gjithsej, mirëpo nuk po arrin të zë vend të sigurt në formacionin e parë të Jurgen Kloppit, shkaku i konkurrencës së madhe. Mirëpo, Keita thotë se kjo e ka ndihmuar atë të përmirësohet si lojtar.

“Kur unë erdha këtu, fillimisht duhej të mësohesha se si të përshtatem dhe integrohem në skuadër. I respektoj zgjedhjet e tij, kështu që unë isha këtu duke punuar çdo ditë”, ka thënë Keita.

“Ai është dikush që mund të të japë sqarime në fushe dhe kjo të ndihmon shumë dhe natyrisht se kur luan, në këtë mënyrë nuk dyshon në vete. Kështu duhet të jetë një trajner dhe ai sheh gjithçka”.

“Mendoj se jam përmirësuar shumë, përveç lëndimeve të mia që ma kanë pamundësuar të luaj në disa ndeshje. Ai është një person që komunikon shumë dhe një trajner që ua sqaron të gjitha gjërat lojtarëve të vet”.