Kasami nga Tetovа: Me koalicionin “Mundemi” do të ketë jetë me dinjitet, afër kushteve evropiane të jetesës

Ditën e tretë të fushatës zgjedhore, bartësi i listës për deputetë në zonën zgjedhore 6 i koalicionit “Mundemi”, kryetari i Besës, Bilall Kasami e ka nisur në Tetovë. Duke qëndruar afër Hamamit të Tetovës, ai u zotua se do të kujdeset për trashëgiminë kulturore dhe hapësirat e gjelbra si dhe për jetë më me dinjitet për të gjithë.

“Ne jemi në këtë koalicion që t’u garantojmë shqptarëve se do të ketë zhvillim ekonomik, në funksion të rritjes së mirëqenies ekonomike, të mirëqenies së qytetarëve që të kemi një jetë më rë mirë. Ne do të angazhohemi që të kemi investime më të mëdha private dhe publike në rajonet shqiptare. Ju garantojmë që me koalicionin “Mundemi” do të arrijmë që Malin Sharr ta bëjnë zonë atraktive turistike dhe të mos jetë Kodra e Diellit ajo që ka mbetur prapa me investime publike e private” u shpreh Kasami.

Ai po ashtu u garantoi qytetarëve se Mali Sharr do të jetë urë lidhëse mes Tetovës dhe Prizrenit, përcjell tv21.tv. Garantoi po ashtu se qeverisja mes LSDM-së dhe Lëvizjes Besa do të jetë në shërbim të qytetarëve.

“Ashtu siç kontribuuam që Maqedonia të jetë vend anëtar i NATO-s në mandatin e ardhshëm ju garantojmë se do t’i hapim mbi 80% të kapitujve të anëtarësimit në BE e me këtë jo vetëm formalisht, por edhe realisht ne do ta afrojmë jetën e qytetarëve të Maqedonisë së Veriut, qytetarëve shqiptarë dhe gjithë të tjerëve, që të jetë një jetë e përafërt me kushtet e jetesës në vendet e BE-së dhe me këtë rinia ta gjej të ardhmen këtu në vendindje e jo në rrugët e Evropës” u shpreh Kasami./TV21