Kapet një sasi e madhe heroine në portin e Durrësit

Policia e Durrësit ka sekuestruar rreth 38 kilogramë heroinë, ndërsa ka arrestuar një person që sipas policisë po transportonte me kamion lëndën narkotike.

Në një njoftim nga Drejtoria Vendore e Policisë Durrës thuhet se Policia Kufitare në Portin e Durrësit ka parandaluar një tentativë për trafikim të drogave të forta.

“Vihet në pranga 49-vjeçari që po transportonte me kamion lëndën narkotike dhe sekuestrohen 68 pako me lëndë narkotike heroinë. Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua lënda narkotike heroinë me peshë totale rreth 38 kilogramë”, thuhet në njoftimin e policisë. Ndaj shtetasit shqiptar të arrestuar do të vazhdojnë hetimet për veprën penale “Trafikimi i narkotikëve, në bashkëpunim”.