Në Këshillin Komunal të Tetovës sot u fol për zgjidhjet e mundshme për kaosin në trafikun e qytetit, e gjersa brenda flitej për këtë problematikë, pikërisht jashtë objektit të Komunës, ishte krijuar një kaos, me vetura të parkuara keq, të lëna në mes të rrugës dhe rrugë të bllokuara.
Nga Sektori për Komunikacion Rrugor thanë se është kompetencë e komunës së Tetovës që të zgjedh çështjen e komunikacionit. Zorançe Talev thekson se ka mungesë të kamionëve-merimangë, vendeve të parkimit, si dhe mungesë të inspektorëve të komunikacionit që do t’i kontrollonin veturat e taksive dhe furgonët.
“Në përputhje me ligjin shkruhet se ku komuna e rregullon komunikacionin, policia kontrollon bën mbikëqyrje edhe dënon dhe këtë e kisha qëllimin që t’u tregoj këshilltarëve që të kuptojnë. Tregova se ka një numër të madh të veturave të regjistruara edhe një infrastrukturë të komunikacionit të vogël edhe të ngushtë, numër të vogël të parkingjeve dhe do të duhet të që marrin masa që t’i plotësojnë edhe t’i sigurojnë vetura speciale, pasi që largimi i veturave të parkuara keq, janë obligim i komunës”, tha Talev.
Nga Komuna e Tetovës, zgjidhjen për problemin në trafik e shohin tek rregullimi i planit urbanistik si dhe hapjen e vend parkimeve të reja.
“Ne jemi në fazën e përpilimit të planeve për zgjidhjen e të njëjtës, kjo nuk zgjidhet brenda natës, kaosi që është grumbulluar për disa vite dhe në mungesë të planit gjeneral urbanistik edhe projektit të komunikacionit, kërkon kohë nga ana e sektorit tonë për përpilimin dhe zgjedhjen e të njëjtave”, tha Memet Jonuzi, përfaqësues i Sektorit për komunikacion.
Shpesh, kur komunikacioni në Tetovë është i rënduar, për të përshkuar 3,5 kilometra rrugë, nga njëra anë e qytetit në tjetrën, duhen rreth 45 minuta.