Në prag të 30-vjetorit të themelimit të LDK-së, shkrimtari i njohur Jusuf Buxhovi ka publikuar disa dokumente autentike nga Kuvendi Themelues i kësaj partie.
Në dokumentin që Buxhovi e ka publikuar në Facebook janë të listuar anëtarët e Këshillit Inicues për themelimin e LDK-së.
Personat e nënshkruar në këtë dokument, që mban datën 23 dhjetor 1989, janë intelektualët më të njohur të kohës si Ibrahim Rugova që më pas do të bëhej edhe kryetar i LDK-së, Fehmi Agani, Mehmet Kraja, Anton Çetta, Xhemail Mustafa, Bujar Bukoshi, Mark Krasniqi, Idriz Ajeti dhe të tjerë.
“Lista me Anëtarët e Këshillit Inicues për themelimin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, e nënshkruar nga 23 intelektualë më të njohur të vendit (akademikë, shkrimtarë, historianë, publicistë e të tjerë) paraqet pikënisjen e fillimit të procedurës për mbajtjen e Kuvendit Themelues të partisë në përputhje me Ligjin Federativ për Shoqatat e qytetarëve dhe partitë politike, të aprovuar nga Kuvendi i RFS-së në nëntor 1988”, ka shkruar Buxhovi në Facebook.