“Është shumë herët për të hequr masat e izolimit në Britaninë e Madhe, tha sot kryeministri britanik, Boris Johnson.
Duke folur para “Number 10” në paraqitjen e tij të parë publike teksa u rikthye në detyrë pas shërimit së tij nga COVID-19, Johnson tha se ka shenja se “po kalojmë pikun” dhe Britania e Madhe është në pikën e “rrezikut maksimal”.
“Është e qartë se qeveria do të shprehet shumë më tepër për këtë (izolimin) në ditët e ardhshme”, tha Johnson.
Ai tha se qeveria do të heqë izolimin kur të jetë plotësisht e sigurt se nuk do të vijë një valë e dytë.
“Ne po ashtu duhet të njohim rrezikun e një goditje të dytë dhe të lejojmë që niveli i riprodhimit të kthehet mbi një. Kjo jo vetëm që do të ishte një valë e re vdekjesh dhe sëmundjesh, por edhe një fatkeqësi ekonomike dhe do të detyroheshim edhe një herë të vendosnim në frenat e të gjithë vendit dhe tërë ekonomisë dhe të rimarrim kufizime”, tha ai.
“Nuk pranoj të hedh poshtë të gjitha përpjekjet dhe sakrificat e popullit britanik. E di që është e vështirë. Dua ta bëj ekonominë të ecë sa më shpejt që të jetë e mundur. Këto vendime do të merren me transparencën maksimale të mundshme”, tha kryeministri Johnson
Autoritetet britanike të shëndetit të dielën njoftuan se numri i vdekjeve në mbarë Mbretërinë e Bashkuar nga koronavirusi është rritur me 413 në 24 orët e fundit, rritja më e ulët ditore këtë muaj.
Sipas Johnsonit, numri i përgjithshëm i vdekjeve është thuajse 21,000 dhe Britania e Madhe është në pikën për ta “luftuar atë në fushë nëse koronavirusi ishte një sulmues”.