Johnson: Britania të bëhet “gati” për mundësinë e mosarritjes së marrëveshjes tregtare me BE-në

Mbretëria e Bashkuar duhet të bëhet “gati” për mundësinë e mosarritjes së marrëveshjes tregtare me Bashkimin Evropian, ka thënë kryeministri britanik, Boris Johnson.

Përveç nëse krijohet ndryshim “thelbësor” në drejtimin aktual të BE-së, ai ka thënë se të dyja palët nuk do të mund të pajtohen për bashkëpunim ekonomik pas Brexitit.

Mbretëria e Bashkuar ka përmendur të enjten si afatin e fundit për të vendosur nëse ia vlen të vazhdohen bisedimet teksa janë aktuale mosmarrëveshjet.

Dy palët kanë dhënë shenja se duan të vazhdojnë negociatat, mirëpo BE-ja ka thënë se procesi varet nga hapi i ardhshëm i Mbretërisë së Bashkuar.

Duke folur nga kryeministria, Johnson nuk ka pranuar të deklarohet nëse shteti që ai udhëheq është gati të largohet nga procesi, ndërkohë që ekzistojnë dallimet për politikat e peshkimit dhe ato të konkurrencës.

Mirëpo ai ka sugjeruar se BE-ja nuk ka gatishmëri që të konsiderojë seriozisht mundësinë e ofruar nga Britania për marrëveshje të lirë tregtare, të bazuar në marrëveshjen aktuale të bllokut evropian me Kanadanë.

“Marrë parasysh se ata kanë refuzuar që të negociojnë seriozisht në pjesën më të madhe të muajit të kaluar, unë kam ardhur në përfundim që na duhet të bëhemi gati për 1 janarin pa marrëveshje”.

“Tani është koha që bizneset të bëhen gati, transportuesit të bëhen gati dhe udhëtarët të bëhen gati”, ka thënë Johnson.

Shefi negociator i BE-së për këtë çështje, Michel Barnier ka thënë se bisedime të reja intensive do të nisin në fund të nëntorit, me synim të arritjes së marrëveshjes.

Mirëpo homologu i tij britanik ka thënë se ka qenë “i zhgënjyer” nga qasja e BE-së.

Të dyja palët janë duke i kërkuar njëra-tjetrës që të bëjnë kompromis në çështje kyçe.

Ato janë duke synuar arritjen e marrëveshjes për vazhdim të lidhjeve ekonomike, kur të përfundojë periudha tranzitore e Brexitit në muajin dhjetor.

Vendimi për largim të Britanisë nga BE-ja ka ardhur pasi 52 për qind e votuesve kanë votuar për dalje të Britanisë nga BE-ja kundruall 48 për qind që kanë kundërshtuar atë, në referendumin e mbajtur më 2016.​