Japonia dhuron 110 mijë euro donacion spitalit të Strugës dhe Ohrit

Gjatë ditës së së sotme ambasadori i Japonisë në vend, Savada Hironori nënshkroi grantin e tretë dhe të katërt në vitin 2021 në kuadër të programit japonez GGP për projekte të vogla për siguri të njeriut në Maqedoninë e Veriut e që ka për qëllim përmirësimin e nevojave bazike të njeriut.

“Projekti i përmirësimit të shërbimeve mjekësore përmes blerjes së sistemit ultrazë për spitalin e Strugës në vlerë prej 50.822 euro ka për qëllim ta përmirësojë cilësinë e kujdesit mjekësor për shëndetin e grave. Aparati i ri do ta përmirësojë punën në Repartin e Gjinekologjisë”, thuhet në njoftim.

Po ashtu thuhet se për spitalin e Ohrit është blerë makinë rentgeni në vlerë prej 60.188 euro, ndërsa ky aparat do të përmirësojë punën në Repartin e Kirurgjisë.

Deri tani Japonia ka dhuruar gjashtë grante në këto dy komuna përmes programit GGP, ndërsa me dy projektet e reja të nënshkruara të vitit 2021, Japonia për Strugën dhe Ohrin ka dhuruar më shumë se gjysmë milionë euro.

Në njoftimin e Ambasadës së Japonisë thuhet se Japonia ka financuar renovimin dhe blerjen e pajisjeve për 70 shkolla dhe çerdhe, 57 spitale dhe ka siguruar 31 automjete për menaxhimin me mbeturinat në 49 komuna.