“Italia arriti të izolojë koronavirusin”

Ministri italian i Shëndetësisë, Roberto Sperenza tha se e kanë izoluar koronavirusin e ri (2019-nVoC) i cili ishte zbuluar tek një çift kinez që vizitoi Italinë.

Sperenza në konferencën për media në Institutin Kombëtar për Sëmundjet Infektive “Lazzaro Spallanzani”, lidhur me koronavirusin, përhapja e të cilit në Itali u përcaktua mbrëmjen e të enjtes tha se vendi i tij arriti të izolojë virusin.

“Ne izoluam virusin. Italia është vendi i parë në Evropë që arriti të izolojë virusin. Kjo do të sigurojë më shumë mundësi për të punuar më mirë mbi virusin dhe për të konfirmuar se çfarë duhet të bëhet për të parandaluar përhapjen e tij. Tani trajtimi kundër këtij virusi do të jetë më i lehtë”, tha ai.

Pasi tërhoqi vëmendjen mbi cilësinë e lartë të sistemit kombëtar shëdetësor italian në arritjen e këtij rezultati, Sperenza: “Ne falënderojmë mjekët, infermierët dhe të gjithë profesionistët tanë që kontribuan në këtë çështje. Sot nga këtu del një lajm i rëndësishëm dhe një pikë fillimi. Ne jemi të parët në botë dhe këtë njohuri e ofrojmë në përdorimin e të gjithë botës së shkencës. Kjo është një fazë e rëndësishme”.

Po ashtu edhe Giuseppe Ippolito, drejtori i Institutit “Lazzaro Spallanzani” tha se “Të dhënat tashmë do t‘i ofrohen komunitetit ndërkombëtar. Po hapen fusha për teste të reja diagnostikuese dhe vaksina. Italia është bërë partneri referencë për këtë hulumtim”.

Ai theksoi se me punimet e kryera në laboratorët e institutit do të lehtësohen punimet për të kuptuar mekanizmin e sëmundjes, shpërbërjes së virusit dhe përcaktimin e metodave të trajtimit kundër kësaj.

Ekspertët tjerë që kanë shprehur mendimet e tyre lidhur me çështjen, potencuan se izolimi i virusit është një fazë shumë e rëndësishme për trajtimin e sëmundjes.

Frika dhe shqetësimi i krijuar nga koronavirusi që u shfaq për herë të parë në Kinë, ka shkaktuar shtimin çdo ditë të një rasti të ri të veprimeve raciste kundër kinezëve në Itali.

Së fundmi organizata e ekstremit të djathtë “Forza Nuovo” në qytetin Brescia në veri të vendit, vari në një market që shet produkte të Lindjes së Largët afishet me mbishkrimet “Me këtë rast, sot si asnjëherë më parë mbështesin produktet italiane. Blerja e produkteve italiane është një përgjegëjsi morale”.

Shfaqja e koronavirusit në Itali u regjistrua të enjten

Kryeministri italian, Giuseppe Conte në një deklaratë të bërë të enjten njoftoi shfaqjen e koronavirusit të ri në Itali, pasi kishin rezultuar pozitive rezultatet e ekzaminimeve të kryera ndaj 2 turistëve kinezë të cilët kishin ardhur për të vizituar Romën dhe të cilët më pas ishin shtruar në Institutin Kombëtar për Sëmundjet Infektive “Lazzaro Spallanzani”.

Ndërkohë edhe ministri italian i Shëndetësisë, Sperenza dha udhëdimin për ndalimin e fluturimeve direkte mes Italisë dhe Kinës.

Qeveria italiane në fillim të javës vendosi dërgimin e një avioni privat për evakuimin e rreth 60 shtetasve të saj në qytetin Wuhan të Kinës ku dhe është shfaqur koronavirusi i ri. Personat në fjalë pritet që të mbërrijnë nesër në Itali.