Ismaili kritikon Kurtin: Nuk ndalet koronavirusi me konferenca, pse nuk e rrite numrin e testimeve

Ish-ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili, ka kritikuar qeverinë në detyrë të Albin Kurtit.

Përmes një postimi në profilin e tij zyrtar në rrjetin social Facebook, Ismaili ka bërë të ditur se qysh para një muaji Partia Demokratike e Kosovës kishte kërkuar që të bëhen testime më të mëdha në mënyrë që të parandalohet sa më shpejtë infektimi me COVID-19.

Sipas tij, këto rekomandime nuk i dëgjoi qeveria në detyrë, madje siç u shpreh Ismaili, qeveria në detyrë nuk dëgjoi as rekomandimet e OBSH-së për sa më shumë testime.

“Të gjithë liderët e suksesshëm, që po menaxhojnë vendet e tyre në këtë kohë pandemie, janë të fokusuar në hapat që minimizojnë dëmet në popullatë dhe në shtet. Kanë plan kundër pandemisë dhe plan për ekonominë. Albin Kurti dhe Qeveria e tij nuk e kanë as njërën dhe as tjetrën. Albin Kurti dhe Qeveria tij janë spektatorë dhe pandemia është betejë e qytetarëve dhe e mjekëve. Për Kurtin, mjafton të na porosisë që të mbyllemi në shtëpi dhe t’i lajmë duart, se do të kalojë”, ka shkruar ndër të tjerash Ismaili.

Postimi i plotë i Ismailit, pa ndërhyrje:

Është bërë një muaj prej kur PDK ka kërkuar testime agresive, për ta ndalur sa më shpejtë zinxhirin e infektimeve me Covid-19. E kemi përsëritur, pastaj, disa herë këtë nevojë. Fatkeqësisht, kjo nuk ka ndodhur.

Qeveria Kurti u tregua e shurdhër edhe ndaj rekomandimeve të OBSH-së për sa më shumë testime, sepse virusi nuk mund të luftohet – kur nuk e di se ku ndodhet ai.

Të gjithë liderët e suksesshëm, që po menaxhojnë vendet e tyre në këtë kohë pandemie, janë të fokusuar në hapat që minimizojnë dëmet në popullatë dhe në shtet. Kanë plan kundër pandemisë dhe plan për ekonominë.

Albin Kurti dhe Qeveria e tij nuk e kanë as njërën dhe as tjetrën.

Albin Kurti dhe Qeveria tij janë spektatorë dhe pandemia është betejë e qytetarëve dhe e mjekëve. Për Kurtin, mjafton të na porosisë që të mbyllemi në shtëpi dhe t’i lajmë duart, se do të kalojë.

Kosova ka numrin më të ulët të testimeve për kokë banori në rajon dhe është shumë larg modeleve të suksesshme të luftës kundër Covid-19.

Ku mbeten 7000 testet që erdhën në Kosovë? Ku mbeten testet nga Turqia? Dhe, më e rëndësishmja, kur do të mbërrijmë në 1000 teste në ditë?

Testimet janë politikë ekskluzive e Qeverisë. Janë përgjegjësi direkte e Kryeministrit Kurti dhe Ministrit Vitia. Nuk mund ta organizojë askush tjetër këtë. Nuk është punë e mjekëve, por është çështje që kërkon lidership politik – e që kjo Qeveri shihet qartazi se nuk e ka.

Konferencat për media, sado që mund ta qetësojnë publikun, nuk e ndalin virusin.

Tashmë kur numri i të prekurve nga Coronavirusi në Kosovë po rritet, testimet masive janë urgjente dhe Qeveria duhet të veprojë menjëherë. Nuk ka më kohë të humbet, nëse dëshirojmë ta fitojmë këtë betejë me sa më pak dëme.