Ish polici amerikan pranon 13 vrasje dhe një varg dhunimesh

Një ish polic amerikan, krimineli serik i njohur si “Gollden stejt killer”, pranoi 13 vrasje, si dhe një varg dhunimesh dhe sulmesh nëpër shtëpi të Kalifornisë në vitet 1970 dhe 1980, informojnë mediat amerikane.

Xhozef De Anxhelo (74) u deklarua si fajtor sipas marrëveshjes me prokurorin i cili e mbron nga dënimi me vdekje, në këmbim të pranimit të të gjitha krimeve të cilat i ka bërë në 11 rajone të Kalifornisë.

Sipas marrëveshjes, De Anxhelo përballet me burg të përjetshëm pa mundësi për lirim me kusht.

Prokurorët bënë të ditur se me këtë marrëveshje kanë dashur që të sigurohen se shumë të mbijetuar, si dhe familjet e viktimave, dëshmitarëve dhe hetuesve, shohin zgjidhje për rastin.

Krahas 13 vrasjeve dhe kidnapimeve, prokurorët thanë se De Anxhelo ka bërë gati 50 dhunime dhe më shumë se 120 vjedhje.

Veprat kriminale i ka bërë prej vitit 1975 deri në vitin 1986, si polic në dy qytete në Kaliforni.