Irak, SHBA vret 24 militantë të grupit të lidhur me Iranin

Numri i të vrarëve në sulmet e SHBA-së të dielën në pozicionet që i përkisnin grupit të milicisë irakiane Kataib Hezbollah në Irak dhe Siri është rritur në 24, sipas një burimi irakian të hënën, transmeton Anadolu Agency (AA).

Jawad Kadhim Al-Rabaiwi, udhëheqësi i lartë i Hashd al-Shaabi, një grup ombrellë për milicitë e ndryshme, tha në një deklaratë se 24 persona u vranë dhe 51 të tjerë u plagosën si rezultat i këtyre sulmeve.

Al-Rabaiwi theksoi se numri i vdekjeve mund të rritet pasi që disa kanë pësuar plagë të rënda.

Forcat amerikane goditën pesë pozicione irakiane të Hezbollahut në Irak dhe Siri, tha ushtria në një deklaratë të dielën.

“Sulmet mbrojtëse” kundër grupit të milicisë të lidhur me Iranin – Kataib Hezbollah, erdhën si përgjigje ndaj sulmeve me raketa të premten në një bazë irakiane të forcave të koalicionit amerikan që luftojnë DEASH-in.

Në objektiv ishin tre lokacione në Irak dhe dy në Siri, sipas zëdhënësit të Pentagonit, Jonathan Hoffman.

Ato përfshinin depot e armëve dhe bazat e komandimit dhe kontrollit për të cilat pretendohej se ishin përdorur për të planifikuar dhe kryer sulme ndaj forcave të koalicionit anti-DEASH.

Sulmet do të “degradojnë” aftësinë e Kataib Hezbollah për të kryer “sulme të tjera” kundër forcave të koalicionit, tha Hoffman.

“Irani dhe forcat e tij përfaqësuese Kataib Hezbollah duhet të ndërpresin sulmet e tyre ndaj SHBA-së dhe forcave të koalicionit dhe të respektojnë sovranitetin e Irakut për të parandaluar veprime të tjera mbrojtëse nga forcat amerikane”, shtoi Hoffman.

Të premten, një kontraktues civil amerikan u vra dhe disa anëtarë të shërbimit amerikan dhe personelit irakian u plagosën në sulmin në qytetin verior të Irakut, Kirkuk.