Intervistë me Luljeta Ajrullai, kandidate për deputete nga Lista e platformës qytetare “Koncepti i Maqedonisë”, në Njësinë zgjedhore nr.5

Luljeta është punonjëse sociale e diplomuar në Fakultetin Filozofik në Universitetin “Shën Kirili dhe Metodi” në Shkup, me përvojë pune mbi 12 vjet në sferën e Punës dhe politikës sociale. Aktualisht magjistrante në Institutin e Sociologjisë pranë Fakultetit Filozofik në Shkup.

– Cili është motivi i juaj personal që të kyçeni në “Konceptin e Maqedonisë”?

Luljeta Ajrullai: Në “Koncepti i Maqedonisë” pashë platformën qytetare e cila ka ide reale dhe vizion për ndyshim dhe përmirësim të gjendjes së përgjithëshme në Maqedoni, e cila tani është e mjerueshme. Ide, që Maqedonia të bëhet shtet modern europian. Për realizimin e këtij qëllimi do të ndikojë edhe struktura e “Konceptit të Maqednisë” e cila përbëhet nga njerëz të rinj, me dituri dhe ide, me vlera morale, profesioniste në lëmitë e tyre.

– A është ky angazhim politik i juaj i parë?

Luljeta Ajrullai: Jo, kam pasur një angazhim modest politik në Partinë Demokratike Shqiptare (PDSH) para 10 vitesh. Periudhë kohore kjo, kur ishte gjallë z. Arben Xhaferi, për të cilin kam respekt të madh, para së gjithash si intelektual i lartë shqiptarë.

– Çka, sipas juve, është më me rëndësi për ardhmëri më të mirë të shtetit tonë?

Luljeta Ajrullai: Njerëzit e duhur në vende të duhura, që nënkupton njerëz profesionistë dhe kompetent në pozicione kyçe të shtetit. Zhvillim ekonomik, zhvillim i vetëdijes qytetare, gjyqësi e pavarur, mediume të lira, shtet funksional i së drejtës, pushtet i përgjegjëshëm. Shkurt, njerëzit duan punë dhe drejtësi.

– Cilat janë prioritetet që faktori politik duhet t’i ndërmarrë me qëllim që të bëhet ndonjë ndryshim në Maqednoni?

Luljeta Ajrullai: Para se gjithash, lufta kundër kriminalitetit dhe korrupsionit në të gjitha nivelet e sistemit, duhet të jetë e pakompromis. Ligjet të vlejnë për të gjithë njëlloj, pa marrë parasysh statusin e personit. Gjithmonë kam vlerësuar se problemi kryesor në këtë shtet është varfëria me të cilën ballafaqohen një pjesë e madhe e qytetarëve, e cila është rezultat pikërisht i qasjes jo të drejtë kur bëhet fjalë për punësim. Qasje ku nuk vlerësohet arsimi i kryer, profesionalizmi dhe kualiteti, por vetëm libreza e partisë ose “lidhjet”. Kjo qasje është tragjike, sepse u reflektua në atë që shumë qytetarë të këtij shteti, pa marrë parasyshë se cilës bashkësi etnike ose fetare i takojnë, të rinjë, të arsimuar, inovativë, të shpërngulen nga vendëlindja. Ata ikën sepse nuk kanë perspektivë këtu. Kjo gjendje duhet patjetër të ndryshohet.

– Cila komponentë nga ajo që e ofron Koncepti i Maqedonsë, ka ndikim më të madh tek ju si qytetare e Maqedonisë?

Luljeta Ajrullai: Në fakt, është qëllimi kryesor i këtij Koncepti, shtet me prosperitet, i integruar si përbrenda, ashtu edhe në aspektin ndërkombëtar. Shtet ku të gjithë qytetarët do të jetojnë në mirëqenie, shoqëri të drejtë ku shanse do të ketë për secilin dhe ku do të sundojnë e drejta dhe siguria. Të ndërtojmë shtet normal demokratik.

– Në cilën mënyrë ju personalisht do të kontriboni në ndryshimet që i propozon “Koncepti i Maqedonisë”?

Luljeta Ajrullai: Me angazhim, dituri, profesionalizëm, me punë parimore, etikë, përgjegjësi dhe lojalitet, ndaj çdo iniciative dhe projekti. Duke mundësuar dhe respektuar votën e lirë.

– Nëse fitoni mundësinë që të merrni pjesë në udhëheqejen e proceseve të shtetit, për çka do të jenë përpjekjet e juaja?

Luljeta Ajrullai: Parimisht: drejtësi, barazi dhe punë për të rinjët, sipas kualiteteve.
Si veprime konkrete do të nisim nga zvogëlimi i harxhimeve për deputetet duke filluar nga pagesat shtesë për rrugë të zvogëlohen dhe të kushtojnë në nivel të një bilete kthyese të autobusit, kjo nuk është populizëm, por, përpjekje e sinqertë. Poashtu, do të inicojmë ndryshim të Ligjit për deputetë, që pasi të shpërndahet Kuvendi të ndërpritet edhe rroga e deputetëve. Të krijohet shtet i së Drejtës, në kuptimin e plote të fjalës. Sistem social efikas. Mundësi të barabarta për të gjithë.
Qytetarët të kenë qasje tek të përzgjedhurit e tyre, me këtë dua të them të ndërpriten më lojërat e pandershme dhe manipulimet me të cilat partitë politike i fitojnë votat në zgjedhe dhe pastaj bëhen të pakapshëm për problemet e qytetarëve
Përgjegjësi dhe llogaridhënie të funksionarëve të lartë shtetëror para qytetarëve.
Për liri të mendimit dhe fjalës. Paramendoni sot në vitin 2020, një pjesë e madhe e qytetarëve, kanë frikë lirshëm të shprehin mendimin ose qëndrimin e tyre publikisht për shkak të pasojave negative që mund t’i kenë nga ana e politikanëve dhe pushtetarëve në nivele të ndryshme.
Patjetër duhet t’i çlirojmë qytetarët nga friga dhe të dënohen ata që i shkelin dhe i dëmtojnë liritë dhe të drejtat e tyre.

– Pse projekte?
Luljeta Ajrullai: Sepse, me projekte në mënyrë më efikase arrihet realizimi praktik i qëllimeve të parapara si dhe implementimi i reformave të nevojshme. Njëherit, mundësia për llogaridhënie është më e madhe dhe më e qartë.

– Përshkruajeni Maqedoninë pas 5 viteve prej tash?
Luljeta Ajrullai: Nëse “Koncepti i Maqedonisë” bëhet pjesë e pushtetit, atëherë, mund të shoh ardhmëri dhe perspektivë të mirë për Maqedoninë. Progres të lartë në negociatata me Bashkimin Eurpoian (BE), sundim i së drejtës, zhvillim ekonomik, zvogëlim drastik të korrupsionit, shtet të respektuar me qytetarë të kënaqur nga funksionimi i institucioneve të shtetit.