Institucionet heshtin ndaj votës publike të deputetit të BDI-së Ismail Jahoski

Policia dhe Prokuroria sy mbyllur ndaj veprës së deputetit të BDI-së, Ismail Jahoski i cili të dielën gjatë votimit për kryetar komune në Pllasnicë, kërkoi të votojë publikisht dhe tregoi fletëvotimin. Nga MPB nuk ka asnjë informacion lidhur me kallëzimin e mundshëm penal ndaj deputetit Jahoski, ndërsa Prokuroria Publike nuk është njoftuar për një shkelje të tillë.

Organi akuzës njofton shkurt se derisa policia dorëzon kallëzim penal, do të veprohet në përputhje me ligjin. Koment nuk kishte as deputeti Jahoski. I pyetur përmes telefonit pse tentoi të voton publikisht, Jahoski tha se nuk ka koment, duke refuzuar t’i përgjigjet pyetjes nëse pret të merren masa ndaj tij. Motivi për një veprim të tillë sipas Jahoskit ishte dëshmia se ai voton kundër vëllait tij Alija Jahoski i cili ishte kandidat për kryetar komune.

Jahoski: A mund të votohet publikisht?
Vëzhguesi: Jo, nuk është e lejuar.
Jahoski: E di, por a mundem?
Vëzhguesi: E di pse doni të votoni publikisht. Mund ta paramendoj. Ju doni të votoni kundër vëllait tuaj.
Jahoski: Po!
Vëzhguesi: E parashikova. Por jo, pas paravanit ju lutem.
Jahoski: Desha të votoj publikisht dhe të ju tregoj. Ja shiheni për kë votova!

Për mos t’i mjaftuar shfaqja e votës, Jahoski për t’u fotografuar, fletëvotimin e nxjerr nga kutia.

Votimi publik bie në kundërshtim me dispozitat e Kodit Zgjedhor. Neni 163 sanksionon cenimin e fshehtësisë së votimit me të paktën 3 vite burg. Pavarësisht dëshmive të dala në opinion, Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve nuk ka pranuar asnjë parregullsi mbi procesin e votimit në Pllasnicë. Për shkeljen e procesit mund të diskutohet në stadin e ankesave./Alsat