Incidenti me taksistin në Prishtinë, policia jep sqarime

Policia në Prishtinë ka dhënë sqarime në lidhje me arrestimin e taksistit që u ndalua rreth orës 01:00 pas mesnate.

Zëdhënësja e Policisë për Rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti, i tha KosovaPress-it se i ndaluari me udhëzim të prokurorit kujdestar është gjobitur për mospërfillje të urdhrave të Ligjit për Rendin dhe Qetësinë Publike.

“Ngjarja ka ndodhur sot rreth orës 01:00 në lagjen ‘Dardania’. Sa i përket kompetencës së policisë me udhëzim të prokurorit kujdestar palës i është shqiptuar një gjobë për kundërvajtje sipas ligjit 03 L 142, Neni 16, Mospërfillja e urdhrave te ligjshëm”, tha ajo.

Gjatë momentit të arrestimit, në videot e siguruara nga KosovaPress, taksisti i dëgjohet policisë se “kujt ti motrën” dhe se “do të paraqesë në Inspektorat”, ndërsa dëshmitarët e kësaj ngjarje thanë se policët kanë përdorur gjuhë ofenduese.

Në lidhej me këtë, Ahmeti tha se kjo çështje i takon Inspektoratit Policor të Kosovës për hetim.

“Policia e Kosovës është e përkushtuar në realizimin e detyrave dhe përgjegjësive të saj ligjore me qellim të ofrimit të sigurisë dhe parandalimit. Në të gjitha rastet ku mund të paraqitet ndonjë lëshim eventual nga zyrtarët policor, është kompetencë e Inspektoratit Policor të Kosovës për hetim dhe trajtim të mëtejmë të rastit”, përfundoi ajo.