Imperativ gjatë krizës për ne ishte t’i shpëtonim vendet e punës, thotë Bytyqi

Imperativ gjatë krizës për ne ishte t’i shpëtonim vendet e punës. Arritëm t’i shpëtojmë afro 80 mijë vende pune. Patëm rënie të BPV-së prej 4,5 për qind, ndërsa po të mos ishin masat, rënia do të ishte 8,7 për qind. Masat i dhanë rezultatet e pritura, vlerëson Zëvendëskryeministri për Çështje Ekonomike, Koordinimin e Resorëve Ekonomikë dhe Investimeve, Fatmir Bytyqi në intervistë për MIA-n.

Thotë se masat janë sjellë çdo tre muaj duke i ndjekur rrjedhat ose trendet e ekonomisë. Është i pajtimit se asnjëherë ato nuk kanë shkuar në kohë tek qytetarët, por vlerëson se në kohë krizash më e rëndësishme është që arsyeja të mbizotërojë tek të gjithë aktorët politikë.

“Ne jemi vendi i vetëm, jo vetëm në Ballkan, por edhe më gjerë në të cilin nuk mbizotëronte arsyeja. Hymë në krizë shëndetësore dhe ekonomike ndërsa silleshim në mënyrë të paarsyeshme sikur të jetonim në kohë normale dhe jo krize. Në Greqi për shembull, opozita sillej në mënyrë të arsyeshme pasi vlerësonte se jeta e qytetarëve është më e rëndësishme dhe se në pandemi nuk dëshiron të dëshmosh se kush është politikan më i zgjuar dhe më i mirë dhe se ka kohë për mejdanet politike. Pajtohet se ndonjëherë masat nuk shkonin në kohë tek qytetarët tanë, por me siguri e kujtoni se bëja thirrje thuajse çdo të dytën ditë se deputetëve tanë të cilët janë votuar nga qytetarët u nevojiten vetëm pesë sekonda për ta ngritur kartonin e gjelbër dhe t’i votojnë masat. Imagjinoni, pesë sekonda të jenë më të rëndësishme se një jetë njeriu. Unë këtë nuk mund ta kuptoj dhe asnjëherë nuk do ta kuptoj”, thekson Bytyqi.

Në intervistë, flet edhe për mangësitë e sistemit që i ka imponuar pandemia duke menduar në ekonominë joformale në çrrënjosjen e së cilës nuk është punuar me vite, për pritshmëritë e Planit Investues Intervent dhe për analizën për importimin e mazutit, për investimet e huaja si edhe mundësitë që duhet t’u jepen të rinjve.

Intervista e plotë e zëvendëskryeministrit për Çështje Ekonomike, Fatmir Bytyqi

Pandemia ua ndryshoi jetën të gjithëve. U reflektua në shëndetësi por edhe në ekonomi. Treguesit ekonomikë periudhën e fundit janë pozitivë. A mund të themi se ekonomia e Maqedonisë është duke u rimëkëmbur ngadalë?

– Me të vërtetë më vjen keq për gjithçka që na ka ndodhur nga aspekti shëndetësor me pandeminë, për jetët e humbura. Për fat të keq, atë që na ndodhi nga aspekti shëndetësor, nuk mund ta kompensojmë. Jam i lumtur që sot kriza shëndetësore ngadalë po qetësohet dhe se të dhënat që vijnë nga atje japin optimizëm. Nga ditët e para kur e kam marrë mandatin kam thënë se gjatë krijimit të masave duhet pak të jemi të durueshëm, t’i besojmë njëri-tjetrit, se bashkërisht do të gjejmë mënyra të dalim nga kriza ekonomike dhe se gjithçka do ta kompensojmë edhe atë më shpejtë se që besonin disa.

Në esencë vlerësoj se rezultatet që vijnë janë vërtetë pozitive. Në prill prodhimi industrial shënon rreth 46 për qind rritje në krahasim me prillin e vitit të kaluar. Dikush do të thotë se është e lehtë të krahasohet me muajin kur e kishim uljen më të madhe. Pajtohem, dhe prandaj nëse bëjmë krahasime me prillin e vitit 2019, ne jemi afër asaj që e kishim atëherë. Akoma jemi afër 6,7 për qind ulje të prodhimit industrial, por nëse marrim në mënyrë kumulative janar – prill 2019 dhe janar – prill 2021 jemi diku rreth 2 – 2,5 për qind ulje të prodhimit industrial. Por, ajo që është kyçe është se ka tendencë kthimi, gjegjësisht kthehemi në njërin prej viteve më të mira, e ai është viti 2019. Kjo tregon se ekonomia jonë po rimëkëmbet.

Janë edhe disa të dhëna të tjera të cilat dëshiroj t’i tregoj. Banka Popullore tregoi për disa parametra të caktuar të rëndësishëm, ndërsa ato janë se në fund të prillit paratë e përgjithshme në qarkullim janë rritur për 9,4 për qind, ndërsa kreditë e përgjithshme janë rritur për 5,7 për qind dhe depozitat e përgjithshme janë rritur për 6,9 për qind. Paga mesatare në mars të vitit 2021 është rritur për rreth 6,8 për qind në krahasim me marsin e vitit të kaluar. Këto janë rezultate pozitive, por ajo që më gëzon mua është edhe kthimi i optimizmit edhe në ekonomi por edhe tek qytetarët.

Një moment tjetër të cilin duhet ta kemi parasysh për rimëkëmbjen e ekonomisë është sjellja e ekonomive të tjera. Ne jemi ekonomi e varur nga ekonomitë e tjera më të zhvilluara siç janë Gjermania, Britania e Madhe etj. Siç janë duke u liruar atje disa segmente të jetesës edhe ekonomia ka filluar të rimëkëmbet, kjo ndjehet edhe tek ne. Për fat të keq, akoma nuk jemi në segmentin të cilin do ta dëshironim, por ajo që po ndodhë është se me nismat e ndryshme të cilat i ndërmorëm, thamë se jemi të vetëdijshëm se çfarë po ndodhë dhe jemi të gatshëm t’i shfrytëzojmë mundësitë.

Si Qeveri gjatë krizës i sollët gjashtë pako me masa si mbështetje e ekonomisë, ashtu edhe për mbështetjen e qytetarëve. Megjithatë pati reagime edhe prej opozitës se masat nuk janë në kohë dhe se ka realizim të dobët… Qëndrimi i juaj rreth kësaj dhe nëse Qeveria është e gatshme të krijojë shtigje të reja të masave nëse ka nevojë për një gjë të tillë?

– Siç po përmirësohet ngadalë kriza shëndetësore dhe po hyjmë në fazën e rimëkëmbjes, janë duke u bërë analiza cilat janë efektet e masave. Fillimisht, ne jemi një prej vendeve të Ballkanit Perëndimor i cili në vazhdimësi ka sjellë masa për shpëtimin e ekonomisë. I sollëm masat e reja në çdo tre muaj duke i ndjekur rrjedhat në ekonomi dhe u jemi përgjigjur në kohë. Por, jemi i vetmi vend, jo vetëm në Ballkan por edhe më gjerë, në të cilin nuk mbretëronte arsyeja. Hymë në krizë shëndetësore dhe ekonomike ndërsa silleshim në mënyrë të paarsyeshme sikur të jetonim në kohë paqeje. Në Greqi për shembull, opozita sillej në mënyrë të arsyeshme pasi vlerësonte se jeta e qytetarëve është më e rëndësishme dhe se në pandemi nuk dëshiron të dëshmosh kush është politikan më i zgjuar dhe më i mirë dhe se ka kohë për mejdanin politik. Pajtohet se ndonjëherë masat nuk shkonin në kohë tek qytetarët tanë, por me siguri kujtoheni se bëja thirrje thuajse çdo të dytën ditë se deputetëve tanë të cilët janë votuar nga qytetarët u nevojiten vetëm pesë sekonda për ta ngritur kartonin e gjelbër dhe t’i votojnë masat. Imagjinoni, pesë sekonda të jenë më të rëndësishme se një jetë njeriu. Unë këtë nuk mund ta kuptoj dhe asnjëherë nuk do ta kuptoj.

Nëse i shohim numrat – ne i sollëm gjashtë pako masash, rreth 1,2 miliardë në të cilat pati mjete të drejtpërdrejta buxhetore. Sipas analizave të bëra më 31 dhjetor 2020, ne ishim në 75 për qind të zbatueshmërisë së masave. Më pas, efektet që i dhanë masat është zvogëlimi i rënies prej 4,2 për qind ose thënë ndryshme patëm rënie të BPV-së prej 4,5 për qind, ndërsa po të mos ishin masat, rënia e jonë do të ishte 8,7 për qind. Gjithsesi, 4,5 për qind rënie është rezultat i keq, por në krahasim me rajonin, ne jemi bindshëm me rënien më të vogël. Mali i Zi pati rënie prej 15 për qind, Kosova prej 12 dhe Shqipëria prej afro 10 për qind. Nëse krahasohemi me vendet e BE-së, ne jemi të tretët që do të thotë se vetëm dy shtete evropiane janë para nesh.

Së dyti, arritëm t’i shpëtojmë afro 80 mijë vende pune. Ky ishte imperativi ynë. Pa ndihmën që u dha përmes masave të ndryshme, pritshmëritë ishin se do të humben 80 mijë vende pune. Në fund të vitit i patëm afro 16 mijë vende pune të humbura për shkak të Kovid-19, ndërsa në prill 19.300 vende pune të humbura për shkak të krizës.

Për fat të keq, më duhet të them se pandemia i nxori në sipërfaqe edhe disa mangësi sistemike. Ndërsa mendoj në ekonominë joformale në çrrënjosjen e së cilës nuk është punuar me vite. Një segment i popullsisë tonë që ishte pjesë e ekonomisë joformale e pa se shteti nuk ka mekanizma që t’i ndihmojë dhe hyri në sistem, në Agjencinë e Punësimit. Edhe unë gëzohem se nga ky aspekt disa gjëra lëvizën pasi vlerësoj se sot secili duhet të jetë i vetëdijshëm çfarë do të thotë ta ndihmosh ekonominë joformale. Duhet të gjithë, me plot kuptimin e fjalës të gjithë, të luftojmë kundër ekonomisë joformale. Kur je pjesë e ekonomisë formale ka mekanizma se si shteti t’u dalë në ndihmë këtyre personave.

Fundjavën që shkoi, kryeministri e prezentoi Planin Investues Intervenues në të cilin janë paraparë investime në më shumë sfera. Ky plan investues shihet edhe si një hap post-kovidian për rimëkëmbjen e ekonomisë së vendit tonë. Çfarë do të thotë më konkretisht ky plan për ekonominë vendore?

– Në të gjitha analizat e tona edhe në analizën e institucioneve botërore thuhet se përpos masave që u sollën për shpëtimin e ekonomisë, në periudhën post-kovidiane duhet të mendohet se çfarë është ajo që do t’i japë stimul ekonomisë, që të gjitha degët në ekonomi do t’i lëvizte. Si Qeveri bashkë me sjelljen e masave për përballje me pandeminë, këto tetë muaj kemi punuar edhe në tërheqjen e investitorëve, në krijimin e sistemit me të cilin do të stimulojmë investime private shtesë.

Plani Investues Intervenues 2021 – 2027 i ndjek disa dokumente strategjike – politikën e Bashkimit Evropian ndërsa ajo është korniza e mbështetjes së Bashkimit Evropian përmes IPA 3 (2021-2027), Agjenda Investuese Evropiane, si edhe Strategjia e jonë afatgjate për rritje dhe zhvillim. Plani Intervenues është rreth 8 miliardë euro, por thamë se ai është dinamik dhe në të do të lidhen disa investime të tjera siç kalon koha. Janë tetë sfera – në sektorin e energjetikës janë investimet më të mëdha rreth 3,1 miliardë, në infrastrukturën rrugore dhe hekurudhore 2,7 miliardë, rreth 800 milionë janë për industrinë përpunuese që është një segment mjaft i rëndësishëm për ekonominë tonë, më pas 300 milionë janë në rrjetin e shitjes me pakicë, 500 milionë në shëndetësinë publike, 500 milionë në infrastrukturën komunale, 200 milionë në turizëm…

Në pjesën e infrastrukturës komunale dëshiroj të them se është për të ardhur keq që në vitin 2021 akoma flasim për ujin e pijshëm, rrjetet e kanalizimit dhe pikat e filtrimit. Me të vërtetë është humbur shumë kohë – 30 vite po hapërojmë në vend dhe flasim nëse duhet ose nuk duhet të kemi ujë të pastër për të pirë. Vlerësoj se ky plan tregon se nuk ka kompromis, se do t’i sigurojmë aq para sa është e nevojshme që t’i zgjidhim këto probleme gjatë disa viteve të ardhshme. Nëse do të kisha mekanizëm të gjithë këtë ta zgjidh deri në Vitin e Ri, do ta zgjidhja, por nuk kam dhe prandaj nevojitet kohë e caktuar por, them se nuk do të ketë kurrfarë lëshimesh dhe kompromisesh nëse duhet të gjenden para ose jo. Unë jam një ndër ata që flas zëshëm e që thonë – nëse duhet do të marrim hua vetëm që qytetarëve t’ua sigurojmë nevojat elementare.

Mesazhi i dytë është se nuk është thjeshtë një plan. Jemi duke e krijuar edhe njësitin për ndjekjen e investimeve, trup qendror i cili do të sigurojë se e gjithë kjo do të zbatohet – edhe nga aspekti i kohës reale, procedurave, eleminimit të të gjitha gabimeve të mundshme burokratike dhe vështirësive.

Plani intervenues do të zbatohet deri në moment të fundit pasi çdo investim do të thotë jetë më e mirë. Por për këtë duhet arsye. Një gjë tjetër është të udhëheqim betejë politike dhe një gjë krejtësisht tjetër është t’i thirrim mendjes dhe arsyes për një jetë më të mirë për qytetarët.

Në Planin Investues Intervenues ajo që bie në sy janë investimet në burimet e rinovueshme të energjisë. Konkretisht mendoj në centralin fotovoltaik i cili duhet të ndërtohet në lokacionin ku duhej të jetë aeroporti për kargo në Shtip. Ai është planifikuar të jetë prej mjeteve personale si investim vendor ose si partneritet publiko – privat. Çfarë kuptimi ka një central i tillë fotovoltaik për shtetin tonë?

– Kapaciteti i këtij centrali fotovoltaik do të jetë më së paku 350 megavatë ose thënë ndryshe janë dy blloqe të KER Manastir të cilat sot punojnë në bazë thëngjilli. Ne mund të themi se akoma duhet të punojmë me thëngjill, por kur të vijë dhjetori duhet t’i pyesim bashkëqytetarët tanë të Manastirit se sa mund të marrin frymë. Mbase energjia e prodhuar nga centralet fotovoltaike është pak më e shtrenjtë, por me siguri është më e shëndetshme pasi në fund të ditës vetëm një gjë nuk mund të blihet me para, e ai është shëndeti. Dhe prandaj thamë se do të ndërtohet. Bartës do të jenë Centralet e Maqedonisë së Veriut dhe do të kërkojmë të gjejmë mënyra të financimit. Akoma nuk e kemi qartësuar modelin – nëse do të jetë hua e re ose përmes formave të tjera. Një gjë është e sigurt ndërsa ajo është se do të ekonomizohet nga kompania jonë dhe do të shkojë në dobi edhe të Buxhetit por edhe do të jetë burim i burimeve të qëndrueshme të energjisë. Paralelisht me këtë kemi edhe investime të tjera në energjetikë pasi ne jemi të predispozuar se do ta ndjekim skenarin e gjelbër dhe se këtu nuk ka kompromis. Do ta bëjmë transformimin e thëngjillit drejt burimeve të rinovueshme. Në periudhën tranzistore të gjitha blloqet e termocentraleve do të punojnë me gaz derisa energjensi i ri nuk del në treg, ndërsa ai është hidrogjeni i cili është energjensi i së ardhmes. Nëse nuk e bëjmë tani, për 10 vite nuk do të kemi për kë ta bëjmë. Agjenda e gjelbër nuk dëshmohet në asnjë mënyrë, përveç se me vepra.

Edhe krahas asaj se në Planin Investues Intervenues janë planifikuar investime në më shumë sektorë, a ekziston sipas Jush një sektor i cili duhet të jetë shtysë në periudhën e ardhshme?

– Thashë se një segment solid i Planit intervenues për investime është segmenti i prodhimit pasi vlerësoj se përmes këtij intervenimi ne ngadalë po futemi në ristrukturimin e ekonomisë tonë edhe në sektorët të cilët kontribuojnë në BPV. Energjetika në të gjitha investimet do të zë një pjesë të rëndësishme në të gjithë strukturën e ekonomisë dhe sektori prodhues do të zë pjesë më të gjerë të strukturës tonë në ekonomi. Sa për krahasim, ekonomia jonë në këtë moment, 65 për qind varet nga konsumi privat, 10 për qind nga konsumi publik dhe pjesa tjetër është prodhim dhe eksport. Ekonomia në të cilën 20 për qind përfshin segmentin përpunues nuk është ekonomi e cila duhet të themi se sa jemi ne të rëndësishëm. Ne këtë duhet patjetër ta ndryshojmë. Le të shndërrohemi në ekonomi me të cilën do të na njohin si vend i mundësive, i startapeve, vend i cili është konkurrent i barabartë me të gjithë tjerët për atë që e prodhojmë.

Është paralajmëruar rebalanc i Buxhetit nga mesi i vitit. Deri ku janë analizat dhe kur mund të pritet ai?

– Janë duke u bërë konsultimet e fundit me të gjitha ministritë dhe institucionet publike. Mendoj se shumë shpejtë, në 10-të ditët e ardhshme duhet të ndodhë. Nuk do të ketë shumë befasi. Atë që e kemi dëshmuar është se në mënyrë ekonomike kujdesemi për mjetet publike. Aty ku vërtetë nuk ka mundësi të shpenzohen disa projekte të caktuara, do të shkurtohen dhe do të alokohen mjetet. Gjithsesi mund të alokohen edhe në segmentin e mbështetjes së ekonomisë pasi disa tregues të caktuar dëshmojnë se mbase do të duhet edhe një periudhë të ketë masa. Mbështetjen e ekonomisë më shumë e shoh si mbështetje për krijimin e vlerës së shtuar dhe jo vetëm drejt formimit të ndihmës për përballjen me pasojat. Buxheti do të jetë në drejtim të mbështetjes së zhvillimit dhe rimëkëmbjes.

Tek institucionet shtetërore pati shkurtim të buxheteve edhe në krizën kovidiane. A i janë nënshtruar të gjitha institucionet shkurtimit të tillë dhe në bazë të cilit kriter u bë shkurtimi?

– Atëherë për të gjithë pati ndalesë të mallrave dhe shërbimeve. Tani gjithçka po shkon sipas parimit se secili është përgjegjës për buxhetin dhe ai duhet të thotë se nëse dhe çfarë me të vërtetë do të realizohet. Këtu gjithmonë ka pasur diskutim në opinion. Mënyra e krijimit të buxheteve deri më tani në vend ishte historike – nëse vitin e kaluar i kemi pasur kategoritë e njëjta, vitin e ardhshëm do të shtojmë 10 për qind për shkak të nevojave… Ne e ndryshojmë qasjen e krijimit të buxhetit. Ai është krijimi i buxhetit sipas nevojave reale. Por kjo nuk mund të bëhet brenda natës. Duhet kohë e caktuar dhe me siguri shumë shpejtë për dy-tri vjet do të vijmë drejt mënyrave të krijimit të buxhetit kur do të flasim për buxhet më ndryshe prej 100 për qind nga ajo që e kemi pasur para pesë vitesh. Dhe atëherë nuk do të flasim për punë prioritare dhe joprioritare, por për punë urgjente dhe më pak urgjente. Agjencitë dhe institucionet disponojnë me buxhetin dhe ato duhet të jenë ekonomistë të mirë, menaxherë të mirë dhe të thonë kjo është e mundur, kjo është e pamundur dhe atë që do ta lirojnë, do ta japin aty ku ka nevojë më së shumti.

Si Qeveri në krizë nuk i harruat edhe mediat. Për to u krijuan masa për mbështetje për funksionim normal. MIA është nën buxhetin e shtetit, por tek ajo janë shkurtuar mjetet për funksionim normal. Pse në këtë rast MIA nuk u pa si media?

– Unë rri pas qëndrimit se drejtësi dhe qasje të drejtë duhet të ketë, se të gjithë duhet të trajtohen në mënyrë të barabartë edhe në bisedat me drejtorët treguam se do t’u dilet në ndihmë për gjithçka që është e nevojshme që të funksionojnë normal, por nëse në ndërkohë del se në këtë moment diçka tjetër është prioritare ose se me të vërtetë na mungojnë para, do t’i alokojmë atje, por do të bëjmë kompensim në ndonjë mënyrë tjetër.

Jam i lumtur të shoh që kjo agjenci është ngritur në nivelin e detyrës së saj. Do të doja të harroja atë që ishte 10 vite më parë, por mendoj se atë që e bëni çdo ditë është për t’u përshëndetur dhe jam i kënaqur që kam një agjenci të tillë në vendin tim. Sigurisht, ne do të vazhdojmë t’ju mbështesim edhe më tej pasi ju jeni me të vërtetë të parët përpara të huajve kur ata e shohin vendin tonë.

Në kohë pandemie, investimet e huaja duket se kanë ngecur jo vetëm në vendin tonë, por edhe në botë. A ka ndonjë paralajmërim për investime të reja të huaja?

– Ka një ndryshim në mënyrën se si i trajtojmë investitorët, ndërsa ajo është se ne nuk dëshirojmë të publikojmë emra derisa ata nuk thonë se dëshirojnë të publikohet emri i tyre. Nuk mund të publikoj emra pasi me të gjithë kemi nënshkruar marrëveshje kofidencialiteti. As unë, as Drejtoria për Zona Zhvillimore Teknologjike nuk ka nënshkruar marrëveshje pa u bërë publike dhe këtu është dallimi. Në një moment të caktuar kur të dyja palët do të dakordohemi dhe kur kompania do të thotë se jemi duke nënshkruar marrëveshje do ta publikojmë me emër, do ta publikojmë llojin e mbështetjes dhe detajet për mbështetjen. Ajo që më gëzon është se të gjitha këto investime krijojnë vlerë të shtuar në vendin tonë. Të gjitha këto investime kanë vende pune të paguara më së paku për 50 për qind më shumë se paga minimale. Asnjë prej këtyre investimeve me të cilat kemi biseduar nuk u kemi lejuar të paguajnë paga prej 9.000 denarësh. Përfundoi epoka e krijimit të vendeve të varfra të punës. Nxitja e varfërisë nuk është qëllimi ynë. Dhe prandaj do t’i përdorim resurset publike për mbështetjen e investimeve të huaja nëse ka vlerë të shtuar, gjegjësisht nëse ka vende pune që paguhen mirë dhe nëse produktet kanë vlerë të shtuar për ekonominë tonë. Në këtë mënyrë do t’i mbajmë edhe të rinjtë në shtet.

Të rinjve nuk u duhet asgjë më shumë përveç se t’u japim mundësi. Ata më mirë se ne e dinë se si shfrytëzohet kjo mundësi. Javën e kaluar isha në një ngjarje me më shumë kompani, por dy më lanë përshtypje. Dy kompanitë janë në segmentin e përdorimit të inteligjencës artificiale dhe teknologjisë së lartë. Të parët kanë bërë dorë artificiale, ndërsa të dytët aparat i cili në kohë reale e ndjek punën e zemrës. Ata do ta përfaqësojnë vendin tonë në Dubai Ekspo pasi kjo është detyrë e jona. Eksponatet e tyre do të jenë në vend qendror të stendës tonë në Dubai pasi ata janë e ardhmja e jonë. Nuk duhet unë të shkoj atje, le të shkojnë ata, le t’i shesin produktet e tyre. Ky është krijimi i mundësive.

Mendoj se jeni Qeveria e parë që i ka vendosur në një nivel edhe investitorët e huaj edhe ata vendorë rreth ndarjes së ndihmës shtetërore. Megjithatë pati edhe vërejtje se ndarja e ndihmës shtetërore duhet të jetë më transparente dhe se është e nevojshme ajo të shkojë në drejtim të këtyre kompanive të cilat do të dalin me plane të qarta. A po mendohet që ndihma shtetërore të sistematizohet gjegjësisht të jepet nga një vend me çka do të fitohej transparencë më e madhe gjatë ndarjes së ndihmës shtetërore?

– Që nga ditët e para të Qeverisë së kryesuar nga LSDM-ja kemi treguar se pavarësisht nëse është investim vendor apo i huaj duhet të trajtohet në mënyrë të barabartë pasi në fund të ditës ata krijojnë vlera. Pajtohem edhe rreth transparencës. Dje patëm një raport në të cilin niveli i transparencës së të gjitha institucioneve publike veçanërisht të atyre që punojnë në segmentin e dhënies së ndihmës shtetërore është përmirësuar vërtetë. Por ku është fundi? Transparenca nuk ka fund, gjithmonë ka përmirësim. Për atë që pyetët nëse ekziston një vend qendror, do të thosha se për dallim prej më përpara kur kishim ministra pa resorë të cilët punonin në segmentin e investimeve të huaja, tani kemi trup të centralizuar. E gjithë oferta e investimeve është nën ombrellën e Kabinetit të Zëvendëskryetarit të Qeverisë për Çështje Ekonomike të cilin e udhëheq unë dhe i kam dy institucione të cilat janë trupa operativë ndërsa ato janë Drejtoria e Zonave Zhvillimore Teknologjike Industriale dhe Agjencia për Investime të Huaja dhe Promovimin e Eksportit. Këta janë trupat e vetëm ku investitorët duhet të kërkojnë mbështetje.

Risi është që në nëntë muajt e kaluar kemi punuar në vendosjen e qendrës së vetme për kontrollin e ndihmës shtetërore. Së bashku me Bankën Botërore jemi duke punuar në krijimin e këtij sistemi. Plani ynë është deri në janar të vitit 2022 ta krijojmë sistemin. Rezultati do të jetë 11 procese dhe 11institucione të ndryshme të cilat ofrojnë ndihmë shtetërore që të digjitalizohen me qëllim që më 1.1.2023 procesi i marrjes së ndihmës shtetërore të jetë pa letër. Kjo do të thotë do të eliminohet mundësia që faktori njeri të intervenojë në sistem.

Ajo që u intereson qytetarëve besoj se është hapja e marketeve LIDL. A ka ndonjë paralajmërim se kur do të ndodhë kjo?

– Kam pasur takim me ekipin dhe në esencë po bëhen përgatitjet e fundit. Ky është investim i madh dhe duhen shumë përgatitje. Por, ajo që është kryesore është se ne nuk e trajtojmë vetëm si investim me të cilin vjen një brend i madh në vendin tonë. Në këtë moment jemi duke negociuar me ata nëse produktet tona do të bëhen pjesë e zinxhirit të furnizimit të LIDL, nëse përmes hyrjes së LIDL në vendin tonë do të arrijmë që produktet që prodhohen tek ne t’i vendosim në zinxhirin global të LIDL marketeve. LIDL është i rëndësishëm pasi do t’i sjellë disa produkte të cilat për momentin mbase nuk i kemi, por për ne është e rëndësishme produktet tona të bëhen pjesë e zinxhirit të LIDL. Për mua do të jetë kënaqësi të shohë se domatet tona do të shiten në LIDL në Gjermani. Shpresoj se deri në fund të vitit do të dalin rezultatet e para pasi për të hapur market duhet të bëjnë qendër të madhe distribuuese prej të cilit më pas do t’i furnizojnë produktet e tyre. Kështu që nuk do të flisja për afate, por ata dëshirojnë që më shpejtë të startojnë. Gjithsesi, ky është investim strategjik i cili do të përfundojë në Kuvend dhe atje do të na duhet mbështetja nga të gjithë që ky investim të ndodhë.

Para ca kohësh kenë qenë për vizitë në Kosovë dhe Serbi. Jeni zotuar për përforcimin e bashkëpunimit rajonal dhe prezentimin e përbashkët në tregun evropian dhe botëror dhe këtë e shikoni si një mënyrë për daljen e rajonit nga kriza. Sa është një ide e tillë e rëndësishme për rajonin dhe a ka interesim nga shtetet e tjera?

– Ciklin e bisedimeve e kam filluar me Malin e Zi gjatë vizitës së zëvendëskryeministrit të Malit të Zi i cili ishte në Shkup. Atëherë e filluam idenë me të dhe më pas vazhdova me Serbinë dhe Kosovën dhe gjatë periudhës së ardhshme do të vazhdoj edhe me vendet e tjera. Vizita ime e ka një agjendë. Unë them konkurrim rajonal në vend të konkurrencës rajonale. Unë jam njeri që nuk beson se bëhesh më i mirë me atë që je konkurrencë me një tjetër nëse jeton bashkërisht. Besoj se kur t’i bashkojmë forcat, bëhemi më konkurrentë, ndërsa kur je më konkurrent, atëherë je më i mirë, jetohet më mirë. Periudha e pandemisë dëshmoi se ne jemi shumë të brishtë dhe se lehtë mund të thyhemi edhe nga dridhja më e vogël. Aq jemi të vegjël saqë nëse një fabrikë mbyllet në Gjermani, këtu ndalon një pjesë e ekonomisë. Dhe kur je aq i vogël duhet patjetër të shohësh se si të jesh më konkurrues. Të gjithë fqinjët konkurrojmë drejt investitorëve të njëjtë. Them se nuk është e rëndësishme se ku do të vijë investuesi, e rëndësishme është se ku është zinxhiri i vlerës, ku janë furnizuesit e këtij investuesi, a janë në Kinë ose në Ballkanin Perëndimor. Ekziston vërtetë përgjigje shumë e mirë nga ministrat e rajonit të cilët thonë le të ulemi dhe le t’i harmonizojmë politikat për tërheqjen e investitorëve të huaj. Unë nuk them se duhet të jenë të njëjtë, por le t’i harmonizojmë dhe le të flasim për tërheqjen e investitorëve dhe për zinxhirin e vlerave të cilin mund ta krijojmë në Ballkanin Perëndimor. Procesi i Berlinit flet për një zonë ekonomike të përbashkët. Të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor kemi nënshkruar platformë të përbashkët të krijimit të zonës ekonomike të përbashkët. Nuk ka mënyrë tjetër përveç se të fillojmë nga diku. Konkurrenca rajonale e Ballkanit Perëndimor është dalja nga kriza, mundësi që pandemia na e ka dhënë. Ekonomisë evropiane i duhet partner, vend i cili është afër dhe i cili di të krijojë produkte të cilat janë të rëndësishme në zinxhirin e tyre të vlerave.

Tashmë disa muaj e keni paralajmëruar strategjinë nacionale zhvillimore. Si po vijon ky proces dhe si e shikoni Ju të ardhmen e vendit tonë?

– Me Agjencinë për Zhvillim të Kombeve të Bashkuara dhe Ambasadën britanike e filluam procesin e krijimit të strategjisë së zhvillimit e cila është 20-vjeçare. Së bashku me të gjithë aktorët shoqërorë duhet të ulemi bashkërisht dhe të tregojmë se ku dëshirojmë ta shohim vendin tonë, për shembull çfarë arsimi dëshirojmë të kemi. Por, nuk do të dëshiroja kur flasim për strategjinë zhvillimore nacionale ose për arsimin, të flasim për atë nëse digjitalizimi i teksteve shkollore është i rëndësishëm ose jo. Por të flasim për atë se çfarë njerëz duhet të dalin nga arsimi ynë, a do të jenë ata njerëz adekuat të cilët do t’u përgjigjen realisht nevojave të ekonomisë, nëse do të vazhdojmë të krijojmë menaxherë të cilët nuk kanë as M nga menaxhimi pas përfundimit të fakultetit, ose nëse do të krijojmë inxhinierë të cilët do të punojnë në fabrika në të cilat megatronika është kryesore ose do të krijojmë persona të cilët e kuptojnë inteligjencën artificiale.

Ku dëshiroj ta shoh Maqedoninë – dëshiroj ta shoh si vend në të cilin do të ketë jetë dinjitoze për çdo qytetar, vend në të cilin niveli i varfërisë nuk do të jetë në pragun e 40 përqindëshit, por do të jetë në nivel margjinal, shtet në të cilin qytetarët tanë do të jenë konkurrues dhe do të jetojnë në nivel prej 60 deri në 70 për qind të mesatares së Bashkimit Evropian. Për ilustrim – mesatarja e BPV-së për kokë banori në BE është 33 mijë dollarë, e jona është diku 10. Dëshiroj pas 20 vitesh të mos flasim nëse në dhjetor do të mbajmë ose jo maska, dëshiroj të jetoj në ekonomi të gjelbër në të cilën pa kurrfarë problemi do ta di se fëmija i im do të rritet pa sëmundje në mushkëri. Prandaj jemi duke e krijuar këtë strategji nacionale të zhvillimit.

Edhe një pyetje e cila është e pakapërcyeshme. Ditëve të kaluara u fol shumë për importimin e mazutit. Është bërë analiza fillestare nga institucionet dhe është shqyrtuar në Qeveri, megjithatë prapë se prapë ju u dhatë afat kohor prej shtatë ditësh institucioneve që të bëhet një analizë më gjithëpërfshirëse për të gjitha kompanitë të cilat kanë importuar mazut. Çfarë pritet më konkretisht nga kjo analizë?

– Mendoj se ekziston vetëm një përgjigje. Pritshmëritë mia janë se do të ketë përgjegjësi. Për dukuri të tilla nuk duhet pasur kompromise. Prandaj javën e ardhshme kur shpresoj se do të përfundojnë të gjitha analizat, unë do t’i rri pas qëndrimit – për çdo lëshim të vërtetuar duhet të ketë përgjegjësi. Nëse dëshirojmë bashkërisht të ndërtojmë të ardhme të përbashkët, duhet të ketë përgjegjësi tek të gjithë.