Ibrahim Kelmendi: E njoh vrasësin e Jusuf Gërvallës, jeton në një fshat të Suharekës – ja emri i tij

Ibrahim Kelmendi, njëri nga themeluesit e Lëvizjes Popullore të Kosovës njihet për deklaratat dhe veprimet e tij skandaloze.

Të gjithë ë mbajmë mend deklaratën e tij shokuese për vrasjen e Ministrit të Mbrojtjes së Republikës së Kosovës, Ahmet Krasniqi.

“Do të isha krenar po të kisha sadopak kontribut konkret në vrasjen e Ahmet Krasniqi, akoma më shumë po ta kisha vrarë vet, sepse aty e tutje FARKU nuk dërgoi më brigada diversante në Kosovë, si gjatë verës 1998, për të bërë krime mostruzoe kundër shqiptarëve dhe për ta luftuar UÇK-në për interesa të Serbisë pushtuese”, kishte shkruar Kelmendi në një reagim të tij.

Por, Ibrahim Kelmendi vite më parë kishte deklaruar se e di edhe kush e ka vrarë Jusuf Gërvallën.

Vite më parë, në një intervistë dhënë për express, Kelmendi deklaronte se njeriu që e vrau Jusuf Gërvallën jeton në Kosovë, në një fshat të komunës së Suharekës.

Kelmendi thoshte se personi është shqiptar dhe e ka emrin Rezil.

“Kështu, që në start Rezili, personazhi që unë e argumentoj si doras, akoma pa arritur Jusufi, filloi të përhapë propagandë se Jusufin e ka dërguar UDB-ja për të na përçarë dhe se jemi të rrezikuar nga ai. Kjo po ndodhte akoma pa hy në tokë gjermane Jusufi. Kjo ishte metoda më e efektive për t`i frikësuar njerëzit. Rezili në mënyrë aktive u mor me këtë propagandë. Pothuajse 24 orë rrinte në stacione treni në Shtutgard, ju drejtohej shqiptarëve kur i njihte e nuk i njihte, mjaftonte kur i shihte se po blenin gazetën “Rilindja”. I gostiste me kafe dhe mandej u thoshte se UDB- ja ka çuar një UDB-ash. Unë gjykoj nga ky kënd, se UDB-ja ka marrë masa të menjëhershme që Jusufin ta pengonte që të mos kishte ndikim qysh në startim të veprimtarisë se tij në ekzil. UDB-ja mori ofensivë që ta diskreditojë Jusufin. Unë në këtë drejtim e kam ndërgjegjen e qetë. Thënë të drejtën, dëshiroja që Rezili të ketë një alibi, të mos ketë qenë atentatori, vrasësi, por krye-hetuesi, të cilin fillimisht e kam orientuar drejt Rezilit si atentator i mundshëm, katërçipërisht më ka bind se Rezili nuk ka alibi. Ai dy herë ka qenë i arrestuar për këtë qëllim. Atëherë unë kisha informata të bollshme që të dyshoj në Rezilin, meqë kishte dhënë një urdhër për t’u bërë atentati ndaj Jusufit. Ngase i kishte dështuar, do e ketë vendosur ta bënte vetë, sepse për dështim të parë UDB-ja mund t’i ketë kërkuar llogari. Prandaj, kur krye-hetuesi më ka bind se ai nuk ka alibi, atëherë u bëra kategorik, se dorasi duhet të jetë Rezili”, kishte thënë Kelmendi në intervistën e tij.

“Unë e kam bërë këtë duke u thirr në bashkëbisedimet që kam pasur me krye-hetuesin, sepse ai thotë që motra ka qenë shumë mirë e përgatitur, e ka mbuluar shumë mirë Rezilin, por nipat e tij, me të cilët ka biseduar krye-hetuesi, kanë treguar se daja i tyre s`ka qenë natën e krimit të motra, bile ata i kanë treguar se nuk kishte qenë gati për dy vjet aty. Fatkeqësia e tij (krye hetuesit), siç është shpreh vetë krye-hetuesi, është se ligji në Gjermani e ndalon që të miturit të jenë dëshmitarë në gjyq”, shprehej ndër tjerash ish udhëheqësi i LPK-së, Ibrahim Kelmendi.

Por kush është Rezili?

Ibrahim Kelmendi kishte thënë se Rezili është Riza Salihu nga Mushtishti, një fshat i komunës së Suharekës.

“Unë e di edhe pjesëmarrësin e dytë, rastin e kam paraqit edhe te organet e drejtësisë kosovare pas çlirimit, te ish ministri i drejtësisë të Kosovës, Jonuz Salihi dhe prokurori Tahir Rreci dhe u kam thënë që të analizojnë mostrat e cigareve të pjesëmarrësit të dytë në vrasjen e Jusuf e Bardhosh Gërvallës dhe Kadri Zekës, të cilat i ka hetuesia gjermane. Unë kam prova të mjaftueshëm për të besuar se ai ishte vetëm një argat i UDB-së. Gjithsesi, e kam akuzuar për ekzekutor, të komanduar nga UDB-ja dhe vazhdoj ta akuzoj, përderisa ai nuk e provon të kundërtën”, kishte thënë më pas Kelmendi në njërën nga intervistat e tij.

Kujtojmë se Jusuf e Bardhosh Gërvalla si dhe Kadri Zeka u vranë më 17 janar të vitit 1982 në shtetin e Gjermanisë.