Haradinaj pas takimit me Osmanin dhe Kurtin: Fituesit e zgjedhjeve të gjejnë formulën për presidentin

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj pas takimit me ushtruesen e detyrës së presidentit, Vjosa Osmani dhe kandidatin për kryeministër të Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se është në përgjegjësinë e fituesve të zgjedhjeve të gjejnë formulën për ta zgjedhur presidentin. Derisa ka theksuar se nuk është mirë për demokracinë që tërë pushtetet të koncentrohen në një parti.

Sipas tij kërcënimet me zgjedhje të reja në raste të mos zgjedhjes së presidentit nuk i konvenojnë askujt.

“Kanë kërkuar një konstruktivitet në raportet opozitë-pozitë. I tregova Kurtit që nuk mund të përdorim metodat e kaluara të opozitarizmit që kemi pas sëbashku se edhe unë jam plakur pak dhe nuk mundem me ato metoda të atëhershme por që do të jemi opozitë me ua kujtu juve funksionimin e demokracisë pozitë-opozitë. Fituesit e zgjedhjeve e gjejnë formulën me kriju qeverinë, shumicën e qeverisë, 2/3 janë në përgjegjësinë e tyre, ne si AAK nuk e kemi këtë mundësi me kriju 2/3 në parlament dhe ajo që na mbetët është një rol opozitarë funksional në këtë rast, në shërbim të vendit. Detyra jonë nuk është me përkrah koncentrimin e pushteteve me një dorë në këtë rast të zotit Kurti, populli i ka dhënë votën, shumicën për qeveri por nuk ua ka dhënë edhe 2/3 për presidentin është përgjegjësi e tyre se si i bëjnë 2/3 e votës, ne si aleanca do t’i marrim vendimet tona në institucionet tona të partisë”, tha Haradinaj.

I pyetur se a janë të gatshëm për zgjedhje të reja, ai tha se “Kërcënimi me zgjedhje nuk i shkon për shtati askujt por si Aleancë jemi të gatshëm me shku në zgjedhje jo tash por çdo herë”.