Haradinaj e quan dështim të plotë takimin e Kurtit me Vuçiqin

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj e ka quajtur dështim të plotë takimin që kryeministrin Kurti e ka pasur sot me presidentin Vuçiq sot në Bruksel.

Haradinaj thotë se është e habitshme se si njohja e Kosovës nuk është prioritet i Kurtit.

“Dështim i plotë i Kryeministrit Kurti në procesin e dialogut. Është e habitshme, pse njohja e Kosovës nuk është prioritet i tij. Prioritet i parë i tij na qenka shndërrimi i CEFTA-s në SEFTA. Qesharake. Ashtu si edhe prioriteti i dytë, marrëveshja për paqe mes dy vendeve, e po ashtu edhe qasja për të pagjeturit”, ka shkruar ai.

Haradinaj ka thënë poashtu se qasja për të biseduar për tema pa u njohur shtetet me njëra-tjetrën është e rrezikshme në këtë fazë.

“Njohja reciproke është i vetmi rezultat që i duhet Kosovës nga ky dialog. Njohja nënkupton edhe paqen, edhe statusin më të avancuar ekonomik, por edhe hap shtigje për zbulimin e të vërtetës për të pagjeturit. Përndryshe, kjo qasje për të biseduar për tema, pa e njohur shtetet njëra tjetrën, siç kishte ndodhur më parë në procesin e dialogut, nuk ka rezultate, e në këtë fazë është edhe e rrezikshme për vendin”, ka shkruar Haradinaj.

Ky ka qenë takimi i parë i tyre në Bruksel, në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian. Ndërkaq takimi i radhës pritet të mbahet me 25 korrik.