Gucati: Besoj në pafajësinë e Thaçit dhe Veselit

Pas situatës së krijuar me aktakuzat ndaj presidentit të Kosovës Hashim Thaçit dhe kreut të PDK-së Kadri Veseli, Kuvendi ka anuluar vazhdimin e seancës në të cilën do të diskutohej për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë. Presidenti Thaçi dhe kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti e kanë anuluar pjesëmarrjen në takimin e planifikuar të mbahet më 27 qershor në Shtëpinë e Bardhë, mes delegacioneve të Kosovës dhe Serbisë.

SHBA-të, aktakuzat i quajnë hap përpara në procesin e drejtësisë. Një zëdhënës i Departamentit të Shtetit ë kushte anonimiteti i ka thënë Zërit të Amerikës se SHBA-të inkurajojnë Gjykatën Speciale për Kosovën dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar t’i përmbahen mandatit të tyre, ndërkohë që avancon kjo çështje përmes sistemit të drejtësisë.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ende nuk është deklaruar lidhur me aktakuzën, ndërsa në profilin e tij në facebook ka publikuar emblemën e UÇK-së. Kreu i PDK-së Kadri Veseli tha mbrëmë se dyshimet janë plotësisht të pavërteta dhe nuk qëndrojnë.

Për ish ushtarët e UÇK-së, aktakuzat janë të papranueshme ndërsa gjykatën e vlerësojnë politike.

Unë besoj në pafajësinë e tyre, jo vetëm në këta dy persona, por do të besoj në të gjithë pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të cilët do të ftohen nga Gjykata Speciale, do të besoj në pafajësinë e tyre. Do të besoj në punën e tyre të drejtë që e kanë bërë edhe luftën e tyre të drejtë që e kanë bërë”-tha Hysni Gucati, Kryetar i OVL UÇK-së.

Zyra e Prokurorit të Specializuar, ka njoftuar se më 24 prill u ka dërguar Dhomave të Specializuara të Kosovës, me seli në Hagë, një aktakuzë me dhjetë pika për shqyrtim, në të cilën presidenti Thaçi, kreu i PDK-së Kadri Veseli dhe të tjerë akuzohen për një sërë krimesh kundër njerëzimit dhe krimesh lufte ndër të cilat, vrasje e paligjshme, zhdukje e detyruar e personave, përndjekje dhe tortura.

Gjykata e Kosovës, e përbërë nga Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Specializuar e Prokurorisë në Hagë, është formuar me insistimin e bashkësisë ndërkombëtare, me ndryshimet kushtetuese nga Kuvendi i Kosovës. Gjykata Speciale për krime të luftës është gjykatë e përkohshme me mandat të kufizuar dhe me seli në Hagë. Kjo gjykatë vepron e pavarur dhe financohet kryesisht nga Bashkimi Evropian.