Grubi: Vendi ka shënuar rritje prej 13.1% të Bruto Prodhimit Vendor gjatë kurtalit të dytë të vitit

Republika e Maqedonisë së Veriut ka shënuar rritje prej 13.1% të Bruto Prodhimit Vendor (BPV) gjatë kuartalit të dytë të vitit. Këtë informacion e ka dhënë zëvendëskryeministri i parë dhe ministër për Sistem politik dhe marrëdhënie ndërmjet bashkësive, Artan Grubi në një postim në faqen e tij zyrtare në facebook.

Sipas Grubit kjo është një sinjal i mirë dhe pas gati një viti, sipas analizave të fundit statistike mund të themi se kriza tashmë edhe në mënyrë zyrtare po kalon dhe që ekonomia e vendit po e merr veten, fakt ky i cili është edhe një vërtetim i analizave të Qeverisë se ekonomia jonë është stabile dhe që do të shënoj rritje në vazhdimësi.

“Sa për ilustrim, vetëm gjatë shtatë muajve të parë të këtij viti eksporti i mallrave tona ka arritur shumën prej 1 miliard e 700 milion eurove, çka është për 56 për qind më shumë krahasuar me vitin e kaluar, përkatësisht 9 për qind më shumë se gjatë vitit 2019 dhe pothuajse më tepër se 30 për qind krahasuar me 2018-ën”, ka shkruar Grubi.