Grenell para takimit në Washington: Vendosëm të përfshihemi sepse pati histori me të ashtuquajtur ekspertë

Emisari special për dialogun, Richard Grenell, edhe një herë e ka komentuar takimin e 27 qershorit mes palës kosovare dhe asaj serbe në Shtëpinë e Bardhë.

Ai ka shtuar po ashtu se diplomacia amerikane është e interesuar të zgjidh çështjet ekonomike, përcjellë Klan Kosova.

Grenell shprehet se disa të ashtuquajtur ekspertë kanë shtyer dy vendet vetëm në çështje politike.

”Ne vendosëm që të përfshihemi sepse ka pasur një histori të gjatë me shumë ekspertë, të ashtuquajtur ekspertë, të cilët i kanë shtyrë vetëm në probleme politike, duke injoruar ato ekonomike”, ka thënë ai.

Tutje, ai për Newsmax ka deklaruar se të rinjtë në Kosovë e Serbi kanë nevojë për punë dhe shpresë.

”Kur kam diskutuar për problemet e të rinjve në Kosovë dhe komunitetit të biznesit, po ashtu edhe në Serbi, ka qenë e qartë se dëshironin zhvillim të ekonomisë, kanë dashur punë të reja, kanë dashur shpresë”.

Ndër të tjera në këtë intervistë diplomati ka folur edhe rreth marrëveshjeve të arritura për linjën ajrore, të cilën e ka quajtur historike duke thënë se u nënshkrua për herë të parë pas 21 viteve.