Grabitet me armë dhe eksploziv banka në Prishtinë

Persona të armatosur kanë grabitur filialin e një banke në Prishtinë në orët e para të mëngjesit.

Sipas dëshmive nga vendngjarja, grabitja ka ndodhur rreth orës 05:00 të mëngjesit, ku persona të armatosur kanë sulmuar bankën që ndodhej në “Rrugën B”.

“Mbështetur në rezultatet e para të grupit hetimor, dyshohet se një grabitje është realizuar duke dëmtuar një bankomat të një banke, me një mjet shpërthyes (eksploziv), nga disa persona të dyshuar të cilët në ikje e sipër kanë shtënë edhe me armë zjarri në drejtim të një personi (roje). Nuk raportohet për persona të lënduar. Derisa ekzaminimi po vazhdon në vendngjarje, hetuesit policor janë duke punuar në identifikimin dhe arrestimin e personave të dyshuar”, thonë autoritetet kosovare.

Grabitësit kanë përdorur eksploziv për të hedhur në erë bankomatin që ndodhej në ambientet e bankës dhe më pas kanë qëlluar me armë në drejtim të rojes. Fatmirësisht, asnjë person nuk ka mbetur i lënduar.

Forca të shumta policie kanë rrethuar zonën ku ndodhi grabitja në Prishtinë, ndërkohë që janë ngritur dhe postblloqe për kapjen e autorëve.

Momentalisht, ende nuk dihet sasia e parave që grabitësit kanë marrë në bankë.