Arbër Çeliku
Skenat në mbarë botën, ku burrështetas, aktorë, muzikantë, sportistë, njerëz të racave të ndryshme, rrinë si statuja të gjunjëzuara dhe me kokën ulur, për të shprehur solidarizim me vdekjen makabre ta afroamerikanit Fllojd, por njëkohësisht edhe protestë ndaj aktit barbar të policëve që e vranë atë, të ngjallin një ndjenjë sa pikëllimi, aq edhe shprese. Pikëllimi s’ka si mos të të kaplojë kur e sheh, se në epokën e globalizimit, kur idetë e Kantit për republikën botërore sa vjen e më shumë po bëhen realitet, njerëzimi akoma duhet të përballet me njëmendësinë mesjetare, me urrejtjen ndaj tjetrit, me stigmatizimin për shkak të ngjyrës së lëkurës dhe me budallallëqe të këtij lloji. Nga ana tjetër, gjunjëzimi me kokën ulur, që po manifestohet në kryeqendrat e globit, detyrimisht të ngjall shpresën se njerëzimi nuk ka vdekur, dhe se e mira i kundërvihet së ligës, engjëjt u shpallin luftë djajve.
Por, edhe vetë gjunjëzimi, siç e njohim ne, po merr një trajtë të re: njëri gju është poshtë, kurse tjetri lart, ai poshtë shpreh nderimin për viktimën, kurse ai lart, gatishmërinë për sulm kundër racizmit.
Ne akoma rrimë me dy gjunjët poshtë, kokë dhe veshë lëvarur, Fllojda nuk quhemi, por me shekuj jemi në pozitën e njëjtë, na e mohuan jo vetëm racën, por edhe qenien. Ne dimë vetëm përpara politikanëve të gjunjëzohemi, edhe atë me të dy gjunjët poshtë dhe kokën të mbështetur mbi këmbët e tyre, që akoma u vjen era bajgë…