Në Gjermani po vazhdojnë debatet për migrantët edhe në kohën e Krishtlindjeve. Mendimet janë tërësisht të kundërta. Më së shumti po flitet për mundësinë e pranimit të migrantëve minorenë nga Greqia. BE prap apelon.
Komisioni Evropian i ka bërë thirrje Gjermanisë dhe vendeve tjera të Bashkimit Evropian që të pranojnë dhe strehojnë migrantët e mitur, të vendosur aktualisht në Greqi. Kampet në Greqi janë të mbingarkuara dhe vendet tjera duhet të ndihmojnë. “Komisioni është i shqetësuar me gjendjen e rëndë të migrantëve pa shoqërim në këto kampe”, tha zëdhënsja e komisioneres së BE Ursula von der Leyen, për agjensinë e lajmeve DPA. Komisioni ka kërkuar prej vendeve anëtare disa herë që vullnetarisht të marrin migrantë nga këto kampe. Por përgjigja ka qenë deri tani kryesisht negative.
Autoritetet greke thonë se aktualisht në kampe atje ka rreth 5.300 fëmijë dhe minorenë pa shoqërim. Por vend në kampe ka për vetëm 2.216, që do të thotë se mbi gjysma prej tyre nuk kanë vend për strehim të duhur.
Debatet në Gjermani
Kryetari i ekologjistëve Robert Habeck ka vizituar së fundi këto kampe dhe ka hapur një debat të nxehtë në Gjermani, sepse është angazhuar që Gjermania të pranojë rreth 4.000 fëmijë dhe të mitur. Ministri i Brendshëm Horst Seehofer e ka akuzuar partinë ekologjiste për “politikë jo korrekte” në kohën e festave.
Propozimi i kreut të ekologjistëve është kritikuar edhe nga liberalët. Linda Teuteberg deklaroi për gazetën „Die Welt”: „Fushata e ekologjistëve në prag të Krishtlindjeve nuk e ndihmon askend për zgjidhjen e problemeve me migrantët.”
Ndërsa në partinë SPD ka pasur edhe konflikte mendimes mes ministrit të landit Saksonia e Poshtme Borius Pistorius dhe kryetares së SPD Esken. Pistorius u shpreh i dëshpëruar me politikën e partisë së tij, për shkak se krerët e partisë nuk janë pozicionuar qartë ndaj kësaj çështjeje.
Të dhënat e BE dallojnë nga ato të ekologjistëve
Komisioni Evropian pohon se të dhënat e tyre dallojnë nga ato të Habeckut. KE ka regjistruar vetëm 1.922 fëmijë pa shoqërues në këto kampe. Në gjithë Greqinë ka pasur së fundi 5.276 migrantë të tillë.
Vetëm 9% prej tyre janë më të ri se 14 vjet, që do të thotë fëmijë në kuptimin e plotë të ligjit. Nga 1.922 fëmijë, 92 % janë djem. Habeck në intervistën për gazetën Frankfurter Allgemeine Zeitung ka foluar për “vajza me shëndet të dobët”, të cilat duhet të sillen në Gjermani.
Autoritetet greke thonë se numri më i madh i migrantëve vjen nga Afganistani, Pakistani dhe Nigeria. Vetëm 11 janë regjistruar nga Siria.
Gjermania pret zgjidhjet nga BE
Qeveria gjermane ka kumtuar se migrantët në këtë moment nuk mund të sillen në Gjermani. “Ne po kërkojmë zgjidhje evropiane”, thesoi zëdhënësja e qeverisë Ulrike Demmer. “Gjermania nuk mund ta zgjidhë vet këtë problem.”
Ndërkohë mendohet se zgjidhja do të arrihet shumë shpejtë. Vendet e BE për përpiqen të gjejnë një zgjidhje të përbashkët për shpërndarjen e migrantëve, thuhet në BE./DW