FSK-ja do të shkojë në misionin e parë jashtë vendit

Pjesëtarë të Forcës së Sigurisë së Kosovës do të shkojnë në një mision paqeruajtës jashtë vendit.

Ministria e Mbrojtjes e Kosovës njoftoi se Qeveria e Kosovës ka aprovuar “vendimin për bashkëdërgimin e kontingjentit të Forcës së Sigurisë në misionin e parë paqeruajtës, jashtë vendit, si pjesë e Gardës Kombëtare të Ajovas, sipas ftesës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës”.

“Kontingjenti i FSK-së jashtë vendit do të jetë pjesë e misionit në ofrimin e mbështetjes për stabilitet rajonal dhe operacione paqeruajtëse në regjionin e Komandës Qendrore Amerikane”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Mbrojtjes.

Pasojat e tërmetit të 29 dhjetorit në qytetin Petrinja të Kroacisë

FSK-ja, deri më tani, nuk ka marrë pjesë në operacione paqeruajtëse jashtë vendit.

Në vitin 2018, Kuvendi i Kosovës ka miratuar ndryshimet ligjore për transformimin e mandatit të Forcës së Sigurisë së Kosovës në forca të armatosura.

Sipas legjislacionit, është paraparë që procesi i transformimit në Ushtrinë e Kosovës, të zgjasë dhjetë vjet.