Fryma e Albin Kurtit në Maqedoni është koalicioni parazgjedhor mes “Aleancës për Shqiptarët” dhe “Alternativës”!

Aldrin Basha

Në shoqëritë shqiptare thuajse është betonuar bindja se më parë mund të “ndryshosh” popullin, duke e detyruar atë të ikë në Perëndim, se sa t’i ndërrosh liderët partiak. Madje edhe pasi ndonjë nga ata vdes, ne i mbetemi besnik sipas parullës “Edhe pas Titos – Tito”, kështu që vite me radhë, çdo gjë e arsyetojmë dhe mbulojmë me besnikërisë ndaj “liderit historik”.

Por fitorja e Lëvizjes Vetëvendosje në Kosovë ngjalli shpresën mbarë shqiptare se ka arritur një brez i ri politikanësh që nuk bart mbi supe hipoteka nga e kaluara. Dhe që nuk janë politikanë të sotëm por të ardhur nga e djeshmja dhe me mendësi politike nga e shkuara.

Shpresë mbarëshqiptare se u vjen fundi burrështetasve dhe kryesuesve të përjetshëm partiak, që e ngjalli fitorja e VV në Kosovë, mbështete edhe mbi të vërtetën se kjo është e vetmja parti që ka shtrirje në të gjitha trevat shqiptare dhe që ka aktivistë të sajë edhe jashtë kufijve të Kosovës. Njësoj si edhe drejtuesi i saj, Albin Kurti që ka simpatizantët e vet nëpër gjitha trojet shqiptare.

Fitorja e VV në Kosovës pa dyshim se ka ndikim edhe në rrjedhat politike në Maqedoninë e Veriut. Dhe nuk janë të paktë ata që thonë se koalicioni parazgjedhor mes “Aleancës për Shqiptarë” të Ziadin Selës dhe “Alternativës” me në krye Afrim Gashin, është “përfaqësuesi” politik i VV në këtë vend.

Pohimet e tilla kryesisht mbështeten mbi afërsinë e Ziadin Selës dhe Afrim Gashit me Albin Kurtin. Gjë të cilën ata e kanë shprehur edhe publikisht duke e përkrahur VV gjatë zgjedhjeve parlamentare në Kosovë.

Në ndërkohë, pas një takimi me Ziadin Selën, Kryeministri i Kosovës Albin Kurti pat deklaruar se është në të mirën e shqiptarëve koalicioni mes “Aleancës për Shqiptarët” dhe “Alternativës” dhe se ky koalicion do e rrisë cilësinë e pjesëmarrjes politike të shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut.

Se koalicioni parazgjedhor mes ASH-së dhe “Alternativës” është pritur si të ishte fryma e Albinit që ka përfshi edhe shoqërinë shqiptare në Maqedoninë e Veriut tregojnë edhe deklaratë e përfaqësuesve të njohur të VV.

Anëtari i kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje në Tiranë, Enis Sulstarova u ka bërë thirrje “Aleancës për Shqiptarët” dhe “Alternativës” që t’i japin fund poshtërimit që Zavei dhe Ali Ahmeti ua bëjnë shqiptarëve të Maqedonisë.

“Zaevi i heq tabelat rrugore ne gjuhen shqipe qe t’i vendose përsëri pas zgjedhjeve e t’u thotë shqiptareve se po ua plotëson kërkesat. Kësaj loje duhet t’i jepet fund. Opozita shqiptare, Aleanca dhe Alternativa, duhet te propozojnë një manifest politik me kërkesa te qarta, afatshkurtra e afatgjata, për barazimin e statusit te shqiptareve ne MV me atë te sllavomaqedonasve. Për ta bere MV si shtet dykëmbësh real. Nuk ecet më me 20%”, shkruan Sulstarova.

Edhe Bekim Qoku, aktivist dhe anëtar i Këshillit të Përgjithshëm të Vetëvendosjes e ka vlerësuar se “koalicioni parazgjedhor ndërmjet Aleancës për Shqiptarët dhe Alternativës është një koalicion strategjik” Sipas tij “sa më të zëshëm që janë e do jenë avokatët e pushtetit të deritanishëm (politikanët, gazetarët, intelektualët e ndryshëm) kundër këtij bashkimi, aq më i drejtë e më i domosdoshëm është ai.”

E në ndërkohë, ndodhi ajo që pritej: “sateliti” i BDI-së, apo partiakët që fshihen pas vulave të Lëvizjes ‘Besa’, bëri koalicion parazgjedhor me LSDM-në. Me çka në mënyrë indirekte Zaevi e mori në mbrojtje Ali Ahmetin, i cili duke mos mundur të veproj si në zgjedhjet vendore, kur fushatën zgjedhore ia udhëhiqnin Zaevi e Boshkovski, tani i çoi në këtë parti maqedonase të besueshmit e vet të ‘Klanit të Llërcës”

Kur flitet për ngatërrestarët dhe mjeshtërit e shkatërrimit të partive shqiptare – drejtuesit e “partisë së vulave” – që iu bashkëngjitën LSDM-së, duhet pritur që ata tani të thonë se janë duke e luftuar BDI-në. Por çkado që të thonë, ata nuk mund ta fshehin se ishin dhe mbetën vegël e Ali Ahmetit dhe e qarqeve përçarëse të shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut.

Ndërkaq, në të ardhmen duhet të priten “kritika” të ashpra të Ali Ahmeti drejtuar koalicionit parazgjedhor mes LSDM-së dhe “partisë së vulave”. Sepse ai e dinë se kritikat e tij ia shtojnë votat partisë shqiptare që ai kritikon. Dhe kështu ai do e ndihmojë LSDM që të merr sa më shumë vota shqiptare.

Kuptohet, gjitha parashikimet dhe pritshmëritë do i mohoj apo do i konfirmojë 12 prilli kur do mbahen zgjedhjet. Siç do e konfirmojë edhe pjekurinë politike të shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut si dhe vendosmërinë e tyre të shpëtojnë nga politikanët e përjetshëm. Deri atëherë do mbetet e vërteta se në skenën politike të Maqedonisë së Veriut janë ndërruar shumë garnitura politike të etnitetit maqedonas, por kanë mbet të përjetshëm vetëm Hamdi Bajrami dhe Ali Ahmeti.