Megjithëse se Britania përjetoi mungesë të pajisjeve mbrojtëse personale në luftën kundër pandemisë së koronavirusit të ri (COVID-19), media britanike pretendoi se miliona nga këto produkte u dërguan nga depot e kompanive britanike për në Gjermani, Spanjë dhe Itali.
Siç shkruan gazeta Telegraph, firmave britanike u është dashur të shesin produktet e tyre në vendet e tjera sepse ofertat për ndihmë u injoruan vazhdimisht nga qeveria.
Zyrtarët e firmave, të cilët kanë thënë se “nuk kishin alternativa të tjera”, kanë njoftuar se depot e tyre ishin të mbushura me miliona pajisje mbrojtëse të blera nga Kina dhe se çdo ditë kanë bërë dërgesa në vendet e Bashkimit Evropian (BE), përfshirë Gjermaninë, Spanjën dhe Italinë.
Për shembull, siç raportohet, 750 mijë maska kirurgjikale nga depot e firmës Veenak International në Birmingham dje janë ngarkuar në tre kamionë dhe janë dërguar në Itali.
Vetëm javën e kaluar, 5 milion maska kirurgjikale, më shumë se një milion maska FFP2 dhe më shumë se gjysmë milion maska FFP3 janë marrë nga depot në Britani nga kamionë me origjinë nga BE-ja.
Duke folur për gazetën, presidenti i Shoqatës së Eksportuesve të Produkteve Shëndetësore të Britanisë, Simon Festing, konfirmoi se disa prej anëtarëve kanë vazhduar të shesin pajisje mbrojtëse jashtë vendit pasi ofertat e tyre për ndihmë kanë mbetur pa përgjigje.
“Është një kohë jashtëzakonisht e vështirë për bizneset dhe nëse ata nuk mund të shesin në Britani, marrëveshjet e tyre tregtare mund të vazhdojnë”, tha Festing.
Gazeta ka tërhequr vëmendjen në një kontradiktë, pasi, siç thuhet, qeveria nga ana tjetër po përpiqet të sigurojë prodhime nga vende të tjera, përfshirë Turqinë, Kinën dhe Mianmarin.
Në Mbretërinë e Bashkuar, ku kanë vdekur afro 100 punonjës shëndetësorë si pasojë e pandemisë, presioni ndaj qeverisë është rritur për shkak të mungesës së pajisjeve mbrojtëse personale.
Në udhëzimin e ri të Institutit të Shëndetit Publik vihet re se kostumet e ripërdorshme dhe mantelet laboratorike me mëngë të gjata lejohen të përdoren në vend të kostumeve mbrojtëse njëpërdorimëshe për të trajtuar pacientët me COVID-19./AA