Qeveria britanike ka anuluar planet për të vendosur kontrolle të plota kufitare me BE-në, më 1 janar, si rezultat i pandemisë së koronavirusit, transmeton “Financial Times”.
Sipas gazetës, anëtari i kabinetit Majkëll Gouv pranoi që subjektet e biznesit nuk mund të përballen me problemet që dalin nga pandemia dhe në të njëjtën kohë të përpiqen të zgjidhin çështjet kufitare në periudhën pas Bregzitit.
Në këtë gjendje, në vend të kontrollit të plotë, qeveria pritet të vendosë regjim të përkohshëm më të lehtë të kontrolleve në portet britanike për hyrjen e mallrave nga BE-ja, si në rastin e Bregzitit me marrëveshje, ashtu edhe pa marrëveshje. Megjithatë, ministrat pajtohen që mallrat nga Britania e Madhe për në BE janë pjesë e kontrollit të plotë kur të hyjnë në Francë.
“Ne po shohim efektin e koronavirusit në biznesin britanik, dhe në rast se Londra merr kontrollin e ligjeve dhe kufijve deri në fund të vitit, ministrat do të jenë pragmatikë dhe fleksibil”, tha Gouv për “Financial Times”.
Kjo lëvizje, e cila pritet të njoftohet zyrtarisht përpara se të përshpejtojë përgatitjet për Bregzitin pa marrëveshje në muajin korrik, është pikë kthese e madhe që nga muaji shkurt, kur Gouv njoftoi se mallrat e lëshuara nga Evropa do t’i nënshtroheshin kontrollit të plotë.