Farkëtari më i vjetër në Kosovë: zanatin e mora te Kurtish Kovaçi nga Tetova

Bajram Kryeziu: “Ia kam pa hairin këtij zanati. Më vijnë do shokë këtu, e ju them punoni se pa punë nuk ka kurgjo. I kam 74 vjet, e hala punoj…”
Një stol i moçëm, pranë një tavoline me dollapë, është vendi në të cilin Bajram Kryeziu rri kur nuk ka punë. Kjo, në këndin e punëtorisë së tij shumë më të moçme se karrigia, në rrugën sipër qendrës së Shtimes. Ai është vendas. Ka lindur në Shtime dhe e njeh pothuajse secilën familje, jo vetëm të qytezës, por edhe të më shumë se 30 fshatrave përreth. E gati “gjithë Shtimja” po ashtu e njeh mjeshtrin 74-vjeçar, farkëtarin e vetëm në këtë anë.

Përpara stolit të tij, mu në mes të punëtorisë, është furra e zjarrit që shërben për të nxehur çelikun. Zjarri rri ndezur gjithë ditën, në ritmin e tij të zakonshëm.

Prapa shpinës së tij i bie të jenë të varura në mur disa nga punët që ai, por edhe mjeshtri nga i cili e mori zanatin, i kanë prodhuar ndër vite. Jo vetëm për to, e për mjeshtrin që e trajtoi si ta kishte familjar, por edhe për shumëçka nga jeta e tij prej zanatliu, Kryeziu rrëfen ngadalë. Nga ku tjetër, pos nga stoli i tij tashmë i përshtatur për trup.

Mirënjohja për mjeshtrin e vjetër

“Jam lindur në Shtime, por të mitë kanë qenë Podrimçak, nga Prizreni kanë ardhë këtu”, thotë Kryeziu.

Shpejt tregon se zejen e farkëtarit nuk e ka trashëgimi nga familja.

“Nuk e kam pasë farkatar as babën e as babgjyshin”, thotë ai.

Kujtesa e kthen shumë prapa, kur ishte në klasën e gjashtë a të shtatë të fillores.

“Isha në shkollë, dhe shkova te një kovaç, më çoi baba me cakat një sakicë. Ai u kanë i Tetovës, Kurtish Kovaçi i kanë thanë. Shkova, ‘mirëdita – mirëdita’, ma cokati sakicën e s’mi murr paret hiç. Isha i ri unë, ndoshta në të 6-n a 7-n klasë. Më tha: ‘A vjen me punu te unë?’ I thashë: ‘Unë jam në shkollë’. ‘Ani’ tha, ‘kur ta kryjsh shkollën hajde këtu’”, rrëfen Kryeziu dialogun, nga i cili jeta e tij do të merrte kahun që do ta përcillte gjithnjë.

“Prej shkollës shkojsha aty, i nimojsha kapak dhe merrsha zanat. Atëherë me dorë u kanë kjo ‘toçilla’, qito durë varrë m’u bojshin”, vazhdon më tej rrëfimin ai, teksa zgjat dorën në njërin prej rafteve të nëntavolinës për të marrë një gllënjkë nga birra në kanoçe.

“Mirë boll. Ai punojke, pare sa të dush ka pasë. Një kapuç të bardhë e mushke pare. Mu m’i jepke 10 banka. E 10 banka jonë kanë të mëdhaja atëherë, uuuu”, thotë Kryeziu.

Mirënjohja që ka për ustain e vjetër nis të shpaloset natyrshëm.

“E kreva unë shkollën, po aq më hini në zemër zanati… se pa të hi në zemër nuk mund të bësh punë. Kanihere dilsha në rrugë u habitsha, ma ngrehke veshin goxha fort, e më thojke: ‘Këtu këqyrëm mu’”, kujton Kryeziu.

Përpos pagesës ditore, ndodhte që usta Kurtishi e qeraste edhe më tepër punëtorin e tij.

“Atëherë jemi kanë fukura, nuk jemi kanë zingjin. Ai i blejke atëherë 2 kilogramë mish për vete, 1 kilogram për mu edhe dy bukë, se atëherë i kisha 1 fëmijë a 2. Se kogja kom punu unë aty, nja 16 vjet kom punu te ai, domethanë edhe masi jam martu”, thotë Kryeziu, që shkon edhe përtej në përshkrimin e personalitetit të ustait.

“Ai ka mujt gjysmën e Shtimes me ble, sa pare ka pasë. Mjeshtër ma të fortë nuk ka pasë. E pike alkoolin, ai ma ka msu”, thotë Kryeziu, për të çuar gllënjkën e dytë.

Bashkë me ustain tetovar ai do të punonte deri atëherë kur ky i dyti nuk do të mundte më. Kalimi në gradën e ustait është histori më vete.

Në murin prapa tavolinës së punës janë të varura disa nga punët që Bajram Kryeziu, por edhe mjeshtri nga i cili e mori zanatin, Kurtish Kovaçi, i kanë prodhuar ndër vite

“U plak, i bani 80 e kusur vjet, e ma nuk mujke me punu. Nji ditë më tha: ‘Ustah hin cakate një sakicë’. E cakata unë. ‘Bjerma tha, te këqyri’. Unë me qëllim e lash keq. Tha s’e ki mirë. Përpara e kthejke shpinën kur e futke sakicën në ujë, që mos me pa unë. Se në këtë zanat mjeshtria është krejt te uji. Më tha: ‘Jepi ujë apet, e apet’. Për herë të tretë, më tha: ‘Mirë e ki, e qitash për hajr të koftë zanati, ta marr një punëtor këtu, e puno’. E mori punëtorin, kam punu sikur ai”, kujton Kryeziu.

Meqë ustai i vjetër familjarët i kishte në Tetovë, e rrallë vinin në Shtime, Kryeziu ia kishte hapur derën e shtëpisë së tij. Pleqërinë ai po e kalonte te “nxënësi i tij”. Kryeziu thotë se nuk e ka dalluar nga babai i tij.

“Vorrin qitu e ka, unë e kam shti në dhe. Ja kam ndreq vorrin si babës tem, edhe atij”, thotë 74-vjeçari teksa sytë i mbushen lot.

Pa e ndalur fare të folmen e përzier me mallëngjim e lot, tregon edhe nderimin që ia bëri.

“Në shtëpi teme ka vdek. E kam çu në spital si babën tem, edhe atë. I kam ndihmu sa kam mujt, e kam shti në dhe qysh duhet, me xhematë me krejt… Hallall i qoftë, se ma ka dhanë shkollën e dijeninë”, thotë Kryeziu.

Falënderimin për të e vazhdon edhe pas kaq viteve, më shumë se gjysmë shekulli punë si mjeshtër.

“Ia kam pa hairin këtij zanati. Më vijnë do shokë këtu, e ju them punoni se pa punë nuk ka kurgjo. I kam 74 vjet, e hala punoj. E mbaj familjen me këtë punë. Kam nipa e mbesa, e stërmbesa. Rejat e djemtë po më thonë mos puno, vëllezërit i kam jashtë edhe ata më thonë mos puno, na të çojmë pare. Po nuk mund të rri. Nuk më lë gjaku. Unë çohna në ora 5, e ndezi zjarrin, pi çaj e punoj kapak qitu”, thotë Kryeziu.

Tradita që vazhdon

Ajo me të cilën krenohet Kryeziu është fakti që për gjithë këto vite ai kurrë nuk ka pasur telashe me askënd.

“Kurrë nuk jam përla me popull. Këtu është shitore, e tulifar njeri vjen. Është nervoz, shan e bërtet… le të thotë çka dojë, unë i mshoj çekiqit. Të pastë pare i jep, mos të pastë ditën e mirë”, thotë Kryeziu.

Në fakt, bamirësia ka qenë mënyra që e ka përcjellë atë gjatë gjithë punës së tij.

“Vijnë, nuk kanë para, i them shko. Hiç ma larg se pardje, erdh njani e nja 2-3 sakica ja cakata. I bajshin 20 euro ato. I nxori 3-4 euro, tha s’kam të tjera. I thashë mbaj edhe ato se të duhen për rrugë. Tha: ‘Zoti të rujt me familje’. Kjo fjalë i mund të gjitha”, thotë Kryeziu, që shton se nuk mund ta lë keq dikë që ka nevojë për punën e tij.

“Na jemi katunar këtu, e sakica e umi vyjnë. Se tokën duhet me punu”, thotë ai.

Krejt kjo thotë se i është kthyer me të mirë.

“Sot kam besë ku të shkoj, në krejt Kosovën. Qitash shkoj 1 mijë, 5 mijë a 10 mijë euro i marr te kushdo, se kanë besim te unë”, thotë Kryeziu.

Kthimi në të pasmen nuk ndalet vetëm në kujtime. Ndalesa është edhe te objektet fizike prapa tij.

Punëtoria “Çeliku” e Bajram Kryeziut, në rrugën sipër qendrës së Shtimes

Rezë të dyerve të vjetra, gërshërë për qethje delesh, burgi të ndryshme, janë disa nga punimet që janë të ekspozuara si artefakte. Në një pjesë tjetër janë edhe disa mjete të tjera, si çekanë, dara e gërshërë për prerjen e llamarinës, që i ka bërë usta Kurtishi.

Jashtë është edhe një “arshiq”, mjet për të fryrë zjarrin, pranë një furre të moçme që përdoret gjatë verës.

Kur flet për mjetet e punës, ai thotë se kanë ndryshuar disa.

“Gurët (për të mprehur sëpatat v.j.) kanë qenë më ndryshe. Këta të sotit nuk qëndrojnë më shumë se 5-6 muaj”, thotë Kryeziu.

Në përgjithësi, Kryeziu e cilëson si të vështirë zanatin e tij.

“Ka bo vaki e kom kap hekrin e nxehtë, mu ka djeg dora. Se men janë këto, njiherë habitesh. Ka edhe pluhur e tym, e zjarri është i vështirë, verës është vështirë me punu”, thotë Kryeziu.

Zanatliu i moçëm e ka një nip, Isufin, të cilit po ia mëson zanatin.

“I kam 20 vjet. Prej 15 vjete kam nis me punu, e në fillim e bëja vetëm ‘tuqitjen’ (mprehjen përfundimtare të sëpatës v.j.) Qe një kohë kam fillu me cakat edhe unë”, thotë Kryeziu i ri.

Ai thotë se punë të vështirë për zanatli nuk ka.

“Çdo punë që e don dhe e di zanatin, nuk është e vështirë. Diçka e di që nuk shkoj rrogëtar te dikush, këtu punoj për vete”, thotë Kryeziu.

Nuk e ka ndërmend ta ndërpresë këtë punë.

“Si plakun qysh po e sheh, kështu me siguri do të punoj edhe unë”, thotë ai, që natyrisht synon që të shtojë mjetet e punës.

Të dy thonë se deri tani dorën e shtetit nuk e kanë ndier.

“Jonë kanë, i kanë marrë do shënime, po me na ndihmu diçka jo”, thotë Kryeziu i ri.

“Ka mujt Komuna jonë me ardhë me prish këtë objekt, e me i pru edhe dy punëtorë të tjerë me i mësu këtu, me ua dhënë zanatin unë”, shprehet Kryeziu i moshuar.

Vinjeta: Sot është i vetmi farkëtar në Shtime. Por ky fakt nuk është i vetmi që e veçon Bajram Kryeziun, 74-vjeçar. Ai është shembull i respektit për atë që ia dha zanatin. Flet për të me mallëngjim, tek kujton se kur ai nuk do të mund të punonte më, ish-nxënësi i tij e mori në konak të vetin. “E kam trajtu si babën tem”, thotë Kryeziu.Koha Ditore