Kjo është gjithë çfarë dëshiron ky 7 vjeçar nga Borizana e Krujës, i cili pas tërmetit të nëntorit jeton në çadër së bashku me motrën 4 vjeçare dhe prindërit.
Çadra që kanë përfituar nuk mund t`i mbrojë nga shiu dhe i ftohti i dimrit. Nëna e tij apelon për ndihmë dhe kërkon një strehë të ngrohtë për të vegjlit.
“Tremben natën, fillojnë fëmijët duke qarë. Në çadër është shumë ftohtë.”
Familjet më fëmijë po hasin më tepër vështirësi këto ditë dhjetori. Shumë prej tyre nuk kanë siguruar ende një çadër dimri ndaj janë të ekspozuar ndaj kushteve atmosferike.
Dija, nënë e dy vajzave, një prej të cilave me probleme shëndetësore thotë se i gjithë shiu depërton brenda duke ua bërë më të vështirë qëndrimin në çadër.
“Vajza është e sëmurë, do terapi të përditshme.”
Pas tërmetit të nëntorit, për familjet që zgjodhën të mos largoheshin nga fshati, qeveria premtoi çadra dimri por ende shumë prej tyre nuk e kanë përfituar një të tillë.
Një tjetër zgjidhje për t`ju shpëtuar temperaturave të ula do të ishin dhe kontenierët, të cilët po ndërtohen dhe shpërndahen nga vullnetarët. Për shkak të kostos së lartë numri i familjeve që kanë përfituar është shumë i vogël.