Shkruan: Xhelal ZEJNELI
Euergetizmi është term shkencor modern që vjen nga fjala euergetes e greqishtes së lashtë (bamirës). Kjo fjalë ka të bëjë me fenomenin e dhënies së dhuratave nga elita qyteteve (ose grupeve brenda tyre) në shoqëritë greke dhe romake. Termi përfshin bamirësitë nga mbretërit helenë dhe perandorët romakë, por përdoret kryesisht për t’iu referuar bujarisë së elitave qytetare lokale. Studimet e fundit flasin për karakterin transaksional të euergetizmit: bamirësit dhuronin ose kontribuonin në ndërtesa publike, duke përfshirë tempujt, në festivale dhe në lojëra. Shpërndanin ushqime ose para, organizonin bankete publike. Këtë e bënin në këmbim të nderimeve që jepeshin publikisht, si për shembull ndonjë mbishkrim nderi që e regjistronte bamirësinë dhe vlerësimet që i jepeshin dhuruesit, shpeshherë të shoqëruara nga ndonjë statujë e tij apo e saj. Në Greqinë arkaike dhe të shekullit V para K., qytetet i nderonin bamirësit e huaj kryesisht në këtë mënyrë, por nga shekulli IV para K. e më pas, u bë gjithnjë e më normale që qytetarët e pasur të dhuronin për qytetin e tyre, në këmbim të nderimeve publike që ua jepnin bashkëqytetarët e tyre. Euergetizmi qytetar i këtij lloji, në qytetet greke, u bë gjithnjë e më i zakonshëm gjatë periudhës helenistike. Megjithatë, ajo u përhap më së shumti nën sundimin e Perandorisë Romake gjatë shekujve I, II dhe fillim të shekullit III pas K., kur kemi më shumë mbishkrime për bamirësit në qytete, si në Lindje ashtu edhe në Perëndim. Nga mesi i shekullit III pas K., bujaria qytetare fillon të bjerë, edhe pse bamirësitë nga të pasurit vazhduan të ekzistojnë në shoqërinë qytetare të antikitetit të vonë.
Përkufizimi dhe konceptimi origjinal – Euergetizmi është një koncept modern i përdorur në studimet klasike për të treguar praktikën e dhënies vullnetare të dhuratave nga individë të pasur për komunitetet qytetare (civile) ose për grupet brenda tyre, siç janë shoqatat. Kjo është regjistruar në mijëra mbishkrime nderi për bamirës të tillë që kanë mbijetuar nga antikiteti. Sipas historianit francez, ekspert i Romës së lashtë Pol Vejn (Paul Veyne, 1930-2022)* termi i sipërthënë ka të bëjë me bujarinë e mbretërve helenistikë, me liberalizmin e magnatëve republikanë romakë, më vonë të perandorëve, si dhe me bujarinë lokale të elitave qytetare në qytetet helenistike greke dhe të epokës romake. Studimet e mëvonshme e kanë zgjeruar atë për të treguar bujarinë e elitave në qytetet romake në Itali dhe në provincat perëndimore. Shumica e debateve janë përqendruar në qytetet greke të periudhës pas-klasike.
Vejni bazohet në punën e paraardhësve të tij dhe të studiuesve që i ndoqën gjurmët e tij dhe thotë se rritja e bamirësive të elitës që konsistojnë ndër të tjera në kontribute për tempuj, për ndërtesa publike, për infrastrukturë, për festivale, për lojëra dhe bankete komunale, për shpërndarje ushqimesh ose parash, për udhëtime të vetëfinancuara te mbretërit ose te perandorët për të siguruar privilegje qytetare – duhet të shoqërohet kryesisht me kulturën politike gjithnjë e më oligarkike të qyteteve helenistike. Duke mos i pasur karakteristikat e pagesës për mbajtjen e posteve në Athinën klasike dhe në disa polise të tjera demokratike klasike, qytetet helenistike greke, pavarësisht se nominalisht ishin demokratike, u bënë gjithnjë e më të varura nga qytetarët e pasur të cilët kishin edhe kohë edhe burime për t’u angazhuar në politikë. Kishin edhe status të mjaftueshëm shoqëror për të bashkëvepruar me sundimtarët helenistikë.
Shënim: Pol Vejn (Paul Veyne) studioi në École Normale Supérieure. Ishte anëtar i École française de Rome, profesor nderi i Kolegjit të Francës. Është autor i librit “Bukë dhe cirk: sociologjia historike e një politike pluraliste” (Le pain et le cirque: sociologie historique d’un pluralisme politique, 1976).
* * *
Sipas Vejnit, këta persona të shquar i përdorën bamirësitë publike për ta forcuar akoma më shumë statusin e tyre të lartë dhe për ta theksuar distancën shoqërore ndaj bashkëqytetarëve të vet. Ndryshe nga qytetarët e pasur që paguanin për shërbimet publike në sistemin klasik të liturgjisë athinase që kontrollohej nga populli, bamirësit helenë ishin vetë në kontrollin e bujarisë së tyre. Ata jepnin vullnetarisht, madje edhe kur në mesin e qytetarëve të thjeshtë ekzistonte mendimi se të pasurit do të duhej të jepnin kontribute të tilla: ndonjëherë spontanisht, ndonjëherë si pjesë e detyrave të tyre zyrtare (ob honorem – për nder).
Kontributet e tyre në shërbimet qytetare ishin shumë të mirëpritura ngase për shkak të haraçit që qytetet duhej t’u paguanin sundimtarëve helenë dhe romakë, fondet publike rrallë mjaftonin për t’i mbuluar nevojat publike. Regjimi i njerëzve të autoritetshëm vazhdoi në qytetet greke deri në Perandorinë Romake, njësoj si fenomeni i euergetizmit qytetar që në shekullin e parë, e sidomos të dytë dhe të tretë të erës së re, lulëzoi si kurrë më parë.
Euergetizmi si shkëmbim dhuratash: Origjina dhe zhvillimi – Narrativi i Vejnit për zhvillimin gradual të euergetizmit qytetar që nga periudha helenistike klasike e vonë dhe fillimi i periudhës helenistike e këndej, si pasojë e oligarkizimit të politikës së polisit dhe mungesës së mjeteve publike në qytete, u kritikua inter alia (midis tjerash) për shkak të kronologjisë së vet, nga avokati belg Filip Gotje (Philippe Gauthier; Bujumbura, Burundi, 1960- ) i cili lidhjen e euergetizmit dhe oligarkizimit të politikës qytetare e shihte si operative, jo më parë se rreth vitit 150 para K.
Kohët e fundit po shfaqet një pikëpamje revizioniste ndaj euergetizmit e cila e thekson karakterin e tij afatgjatë (longue durée) dhe rrënjët shoqërore të tij. Origjina e euergetizmit nuk ka të bëjë me oligrkizimin helenistik të politikës së poliseve dhe arrin deri te institucioni arkaik grek i ksenisë (mikpritjes)*, d.m.th. te miqësia me rituale midis qytetarëve (elitë) të poliseve të ndryshme, e karakterizuar nga shkëmbimi i dhuratave. Me kalimin e kohës ksenitë partnere filluan të përfshijnë në shkëmbim edhe familjen, miqtë dhe në fund bashkëqytetarët e partnerëve të vet, kurse qytetet, miqve të huaj të qytetarëve të vet të cilët kishin shfrytëzuar polisë, filluan t’u japin shpërblime euergetike tipike të privilegjeve qytetare dhe të mbishkrimeve të nderit.
Pra, në periudhën arkaike, bamirësit e poliseve të cilëve u jepeshin nderime publike kryesisht ishin të huaj. Të vetmit persona të asaj kohe të cilëve u jepeshin nderime euergetike prej bashkësive vetanake të poliseve kanë qenë sportistët fitues të lojërave panhelene, arritjet e të cilëve janë konsideruar dhurata për poliset e veta. Megjithatë, gjatë periudhës klasike u bë e zakonshme që qytetarët të përfitonin nga polisi i tyre në këtë mënyrë dhe për këtë të nderoheshin publikisht nga komuniteti i tyre. Në Athinë në shekullin V para K. euergetizmi zhvillohej ngadalë për arsye se ideologjia athinase e egalitarizmit politik radikal nuk lente hapësirë të duhur për t’u bërë publikisht nderime bashkëqytetarëve dhe për ngritjen shoqërore të tyre, mbase edhe për arsye se të hyrat e perandorisë athinase mjaftonin për nevojat publike të saj. Mirëpo në shekullin IV para K., me humbjen e perandorisë, dhuratat euergetike të qytetarëve të Athinës demosit apo polisit të tyre jepeshin gjithnjë e më shpesh (duke vepruar bashkë me sistemin liturgjik), si dhe mbishkrimet që i karakterizonin dhuratat e tilla.
Shënim: kseni (greqisht: xénios – i, e mysafirëve) lloj epigramesh të veçanta (te poeti romak i epigrameve Marko Valerie Marcial (Marcus Valerius Martialis, Bilbilis, 40 – Bilbilis, 104); te gjermanët shkrimtari Johan Volfgang Gëte (Johann Wolfgang Goethe, 1749 – 1832) dhe dramaturgu, poeti dhe eseisti Fridrih Shileri (Friedrich Schiller, 1759-1805).
* * *
Analizat revizioniste të gjendjes së financave qytetare publike (zakonisht të mjaftueshme për nevojat publike jashtë periudhave të krizës) dhe politikës qytetare (këmbëngulja e kuvendeve aktive dhe elementi i politikës popullore, pavarësisht pasurisë dhe ndikimit në rritje të elitave qytetare) në poliset e epokës helenistike dhe romake kanë çuar në rivlerësimin e rolit politik të euergetizmit qytetar. Të frymëzuar nga kritikat e hershme për neglizhencën e Vejnit ndaj nderimeve që u bëheshin bamirësve, hulumtimet e fundit thonë se euergetizmi ka qenë një formë e shkëmbimit të dhuratave, siç përcaktohet përgjithësisht nga antropologët. Një prej tyre është edhe sociologu dhe antropologu francez Marcel Mauss, 1872-1950)*. Dhënia e dhuratës gjithmonë nënkuptonte një kundër-shpërblim. Ajo krijonte marrëdhënie shoqërore të qëndrueshme midis palëve të përfshira dhe kishte pasoja (potenciale) në shumë sfera shoqërore (politike, shoqërore, ekonomike, fetare). Shikuar nga kjo perspektivë, nderimet që morën bamirësit nga komunitetet e tyre në këmbim të dhuratave të tyre (privilegje sociale dhe ligjore për veten dhe për familjet e tyre, brohoritje publike, tituj, kurora, statuja, mbishkrime nderi e kështu me radhë) rezultojnë të jenë po aq të rëndësishme edhe nga ana sociale dhe politike, sa dhuratat që dhanë.
Ky model transaksional i euergetizmit nënkupton gjithashtu një qytetari aktive nga ana sociale dhe politike, duke i inkurajuar bamirësit e elitës dhe duke i shpërblyer ata për bujarinë e tyre nëpërmjet institucioneve politike dhe sociale të polisit, në vend të demosit, marrës pasiv të parashikuar nga Vejni.
Shënim: Marsel Israel Mos (Marcel Israël Mauss, lindi në Epinal të Francës në vitin 1872. Vdiq në Paris në vitin 1950. Ka qenë sociolog dhe antropolog francez, i njohur si “baba i etnologjisë franceze”. Nip i Emil Dyrkamit. Mosi i kapërceu kufijtë midis sociologjisë dhe antropologjisë.
Shënim: David Emile Dyrkam (David Émile Durkheim, Epinal, Francë, 1858 – Paris, 1917) është sociolog francez. Krijoi disiplinën akademike të sociologjisë. Është një nga arkitektët kryesorë të shkencës sociale moderne, bashkë me filozofin, teoricienin politik, ekonomistin dhe socialistin revolucionar gjerman, me prejardhje hebraike Karl Marksin (Karl Marx; Trier, Prusi, 1818 – Londër, 1883) dhe juristin, sociologun dhe ekonomistin gjerman, themelues i sociologjisë si shkencë, Maks Veber (Maximilian Carl Emil Weber; Erfurt, 1864 – Munih, Gjermani, 1920).
* * *
Kështu është argumentuar se përhapja e paparë e euergetizmit qytetar në lindjen helenistike dhe në Perandorinë Romake mund të kuptohet si rezultat i tensionit midis pozicionit të shquar shoqëror dhe politik të qytetarëve të pasur (që u inkurajua nga mbretërit dhe perandorët të cilët vareshin prej tyre për administratën lokale) dhe idealit të qëndrueshëm të polisit për barazi politike themelore. Me dhuratat e tyre, qytetarë të shquar demonstruan besnikërinë e tyre ndaj idealit të komunitetit qytetar dhe rëndësinë e vazhdueshme socio-politike të tij, ndërsa populli ndau nderime midis bamirësve të tyre të elitës të cilët nga ana tjetër shërbyen për të legjitimuar rolet e larta shoqërore dhe politike të bamirësve në komunitet. Këto shkëmbime ishin subjekt i proceseve të vazhdueshme negocimi midis elitës dhe popullit në këshill, në kuvend dhe më gjerë, që e strukturuan raportin midis qytetarëve të elitës dhe jo-elitës dhe i dhanë demosit një shkallë kontrolli mbi sjelljen bujare të të pasurve.
Euergetizmi në qytetet e Perëndimit Romak, veçanërisht në Itali, në Afrikën e Veriut dhe në Spanjë, i përfshinte të njëjtat kategori dhuratash si në Lindje (dhurata të dhëna për tempuj, për ndërtesa publike, për lojëra, për festivale, për bankete publike dhe për shpërndarje ndihmash) dhe ishte po aq i orientuar drejt qytetarisë në fokusin e tij qendror në komunitetin qytetar si përfituesi kryesor i bujarisë së elitës.
Bamirësitë mbretërore dhe perandorake – Ky model i reciprocitetit hedh dritë edhe mbi euergetizmin e mbretërve helenistikë dhe të perandorëve romakë në qytetet e mbretërive të tyre. Mbretërit dhe perandorët u dhuronin qyteteve (ndërtesa, infrastrukturë, ushqim, lirim nga tatimi, etj.) dhe ndaj tyre tregonin vullnet të mirë në mënyra të tjera. Për këtë u jepnin nderime, shpeshherë me kulte. Pra, ekzistojnë lidhje midis euergetizmit dhe kultit të sundimtarit apo të perandorit. Marrë në përgjithësi, komunikimi dhe ndërveprimet (interaksionet) midis sundimtarit dhe bashkësive qytetare kanë qenë në kuadrin e diskursit euergetik, me ç’rast sjellja e secilit ndaj tjetrit gjithmonë është kuptuar qëllimisht si bamirësi. Shkëmbimi euergetik kryesisht e ka lehtësuar ndërveprimin e qetë të vazhdueshëm ndërmjet sundimtarit dhe qyteteve. Kësisoj ka ndihmuar të fshihen aspektet potencialisht të dhunshme ose eksploatuese të raporteve. Karakterin transaksional të euergetizmit, si në rrafshin qytetar midis elitave urbane dhe popullit, ashtu edhe në rrafshin e sundimtarëve perandorakë dhe qyteteve, e ilustron shfaqja e nderimeve si (kundër)dhurata dhe fakteve se të dyja palët kanë mundur të kryenin shkëmbim. Kështu qyteti ka mundur të fillojë veprimtarinë duke i dhënë (bërë) nder qytetarit të pasur dhe të respektuar, i cili pastaj ndihej i detyruar të reagojë me bamirësi në formë të kundër-dhuratës.
Grupet margjinale – Gjatë periudhës së helenistike dhe të perandorisë romake euergetizmi u bë gjithashtu mekanizëm që u jepte mirënjohje në lëmin publik grupeve brenda bashkësisë qytetare të cilëve një gjë e tillë nuk u lejohej. Për shembull donatoret kanë mundur t’i veçojnë qytetaret si grup specifik i mikeshave në shpërndarjen e artikujve euergetikë. Madje, që nga periudha helenistike e këndej hasim në femra elite aktive dhe si bamirëse qytetare, duke u kontribuar ndërtesave publike, festivaleve, lojërave, ahengjeve dhe shpërndarjeve njësoj si kolegët meshkuj të tyre dhe për këtë arsye qytetet publikisht u bëjnë nder me mbishkrime dhe me statuja. Madje edhe pse gjithmonë kanë mbetur pakicë (e rëndësishme) në mesin e donatoreve euergetike, bamirëset mund të hasen në materialin e epigrafeve nga qytetet në lindjen helenistike dhe romake, në Itali dhe në provincat perëndimore deri në perandorinë e vonshme. Paraqitja e tyre, së pari në poliset helenistike të mëvonshme, ndërlidhet me shquarsinë shoqërore dhe politike në rritje të familjeve qytetare të pasura në qytete greke post-klasike, anëtarët meshkuj të të cilave kanë dominuar në këshillat e qyteteve dhe në magjistratët qytetarë. Për familjet e tilla, të treguarit euergetik ka qenë vendimtare për ruajtjen e statusit të tyre nëpër bashkësi. Nga ajo perspektivë, mobilizimi i anëtarëve femra të familjeve si bamirëse po ashtu ka pasur kuptim të përkryer reputacioni, sidomos kur, për shkak të vdekshmërive nuk ka pasur numër të mjaftueshëm burrash që do t’i përfaqësonin familjet. Grupet jo-qytetare siç kanë qenë të huajt ardhacakë, robërit e liruar, robërit, madje edhe të huajt e ardhur për vizita kanë qenë kategori të tjera të margjinalizuaa të cilët gjithnjë e më shpesh shfaqen në radhët e miqve elitarë zemërgjerë që nga periudha helenistë e këndej.
Derisa euergetizmi mbeti i orientuar kryesisht kah bashkëqytetarët bamirës apo kah nëngrupet e tyre, në shpërndarjet publike të parave, të ushqimit apo të vajit ose në banketet publike, grupet jo-qytetare kanë qenë të përfshira me shpeshtësi të caktuar bashkë me qytetarinë, edhe pse shpesh kanë marrë më pak lëmoshë ose porcion se qytetarët e thjeshtë, të cilët në anën tjetër shpeshherë kanë marrë më pak se qytetarët me status të lartë siç kanë qenë anëtarët e këshillit. Ky theksim i njëkohshëm i përfshirjes dhe i hierarkisë shoqërore kryekëput është tipik për euergetizmin qytetar helenistik të mëvonshëm dhe të periudhës romake.
Mënyra e dhënies së donacioneve – Veprat bamirëse publike kanë mundur të marrin forma institucionale të ndryshme. Prej mbartësve të funksioneve publike dhe prej klerikëve shpesh pritej që një pjesë të shpenzimeve që ndërlidheshin me detyrat e tyre, t’i sigurojnë prej xhepit të vet. Kontributet e tilla janë quajtur liturgji (leitourgiai) ose kanë qenë të detyruar t’i japin donacione (summae honorariae – shuma nderi / summae legitimae – shuma legjitime) qytetit me rastin e marrjes së detyrës së magjistratit, të klerikut apo të anëtarit të këshillit. Kjo është ajo të cilën Vejni, për ta përshtatur terminologjinë e lashtë, e ka quajtur „évergétisme ob honorem“ (bamirësi nderi). Kuptohet, bamirësit kanë mundur ta shtojnë natyrën euergetike të kontributeve të tilla dhe t’i rrisin në maksimum nderimet që u janë bërë për to, duke kontribuar shumë më tepër nga ajo që ka qenë e parashikuar me ligj. Shpeshherë kanë qenë dhurata spontane që rëndom i kanë në mendje dijetarët kur e përdorin nocionin euergetizëm, të cilat kanë qenë spontanë vetëm deri në një masë të caktuar për arsye se një zemërgjerësi e tillë është pritur prej qytetarëve të pasur. Dhuratat e tilla kanë mundur të marrin forma të ndryshme. Shumë prej tyre do të ishin dhurata të njëhershme, por veprat bamirëse kanë mundur të kenë edhe formën e pasurisë së lënë me testament. Në rastin e dytë, bamirësi do të dhuronte një fond kapital, qoftë një shumë të caktuar parash apo një copë toke ose pasurie të paluajtshme (shtëpi, punëtori), qytetit ose ndonjë institucioni tjetër të tij (p.sh. kooperativës), me kusht që paratë të jepen hua ose pasuria e paluajtshme të jepet me qira. Të hyrat (kamatat, paratë e qirasë) do të shfrytëzoheshin për të mirën publike, shpeshherë duke përsëritur festivalin në emër të bamirësit. Testamentet e tilla, po qe se administrohen si duhet, do të mund ta kapërcenin jetën e bamirësit (disa vërtet janë dhënë me testament) dhe të jenë burim respekti të përhershëm, bashkë me një përmendore nderi, që e ka marrë donatori si zëvendësim për dhuratën e vet. Forma tjetër e dhurimit publik që mund të ndërlidhet me euergetizmin është parapagimi publik që ka lulëzuar në radhë të parë te poliset helenistike. Në këtë rast shumë qytetarë dhuronin një shumë të vogël për financimin e ndonjë të mire publike, kurse qytetarët më të pasur shpesh kontribuonin më tepër. Zakonisht vihej mbishkrimi ku shkriheshin emrat e të gjithë donatorëve dhe shumat që i kishin dhënë.
Zhvillimi i antikitetit të vonë – Euergetizmi qytetar lulëzoi si asnjëherë më parë nën Perandorinë Romake, në qytete edhe në lindje edhe në perëndim, gjatë shekullit I, e sidomos shekullit II pas K. si dhe në dhjetëvjeçarët e par të shekullit III. Mirëpo, nga mesi i shekullit III e këndej, bashkë me aspektet e tjera të jetës qytetare, duket sikur euergetizmi shënonte rënie në shumë rajonet e perandorisë (Afrika Veriore është përjashtim i rëndësishëm). Mbishkrimet e nderit që i shënojnë dhuratat e bamirësve elitë vendorë bëhen gjithnjë më të rrallë. Është vështirë që kjo rënie fiktive të mos ndërlidhet me një sërë krizash që kanë goditur si duket shumë pjesë të perandorisë gjatë shekullit III, ndonëse marrëdhëniet shkak-pasojë të sakta mbeten disi të paqarta. Gjatë shekujve IV dhe V pas K., të paktën në lindje, duket sikur euergetizmi qytetar është këndellur dhe ka mbetur faktor i rëndësishëm në jetën e shumë qyteteve. Mirëpo, në disa mënyra të rëndësishme, një pjesë e madhe e zemërgjerësisë së antikës së vonshme ende ka qenë nën ndikimin e krishterimit gjë që ka sjellë idenë që të pasurit dhuratat e veta t’ua japin, jo bashkësisë qytetare të vet, siç kanë vepruar bamirësit jo të mirë, por të varfërve (të krishterë). Gjithashtu, derisa qytetarët e krishterë me renome, kur kanë kontribuar për ndërtimin e një kishe, ende nderoheshin me mirënjohje publike, tani është e qartë se për dhuratat e tilla kanë kërkuar shpërblime, jo aq për këtë botë, sa për botën tjetër. Përkundër kësaj, ato që do t’i quanim dhurata të ndyra apo të kësaj bote, vazhduan edhe më tej, shpeshherë sipas lojërave, shfaqjeve dhe garave në vrapim.
Momentalisht debati për zemërgjerësinë në kohën antike të vonshme ka mbetur i pazgjidhur. Derisa disa dijetarë shohin një lëvizje vendimtare në imagjinatën shoqërore, nga euergetizmi i ligë në qytetarë të modelit të orientuar të euergetizmit, sipas nocionit të krishterë të lëmoshës për të varfrit, të tjerët shohin ngritjen e formës specifike të krishterë të euergetizmit që përfundoi në lindje kur korniza komunale u zhduk përfundimisht në shekujt VI dhe VII. Dhuratat publike të njerëzve të pasur me siguri kanë vazhduar por shkëmbimi specifik i dhuratave për nderimet midis elitës dhe njerëzve që i karakterizonte euergetizmi në qytetet e lashta – deri atëherë është zhdukur.