Erdogan: Konflikti me Armeninë nuk ka mbaruar

Edhe pse Armenia pranoi muajin e kaluar disfatën kundër Azerbajxhanit në rajonin separatist të Karabakut të Sipërm, dy fqinjët nuk i kanë vulosur mosmarrëveshjet.

– Advertisment –
Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan vizitoi të enjten kryeqytetin azer për të përgëzuar forcat e vendit në fitoren kundër armenëve, që ai i cilësoi pushtues.

Azerbajxhani organizoi një paradë ushtarake në nder të heronjve dhe viktimave të luftës, duke ekspozuar edhe disa nga armët e rënda të konfiskuara prej forcave armene gjatë luftimeve.

“Rifitimi i tokave të pushtuara nuk do të thotë se beteja ka mbaruar. Ajo do vazhdojë tani në shumë fronte të tjera, pasi u zhvillua politikisht dhe ushtarakisht. Karabaku është Azerbajxhani, dhe iu bashkua atdheut pas 30 viteve pritje me mall.”

Konfrontimi mes forcave azere dhe kundërshtarëve historikë armenë nisi më 27 shtator dhe zgjati për 6 javë, duke detyruar Moskën të ndërhyjë dhe t’i bindë palët për armëpushim.

Luftimet disajavore mendohet se lanë mbi 5 mijë ushtarë e civilë të vrarë.

Armenia pretendon se Turqia ishte forca kryesore që ndihmoi ofensivën kundër saj, pasi Azerbajxhanin e sheh si shtetin e dytë të kombit turk.

Presidenti Erdoan gjatë ditës kremtoi fitoren e azerëve duke vendosur kurora me lule për dëshmorët e luftës, në shoqërinë e homologut azer, Ilham Alijev.