Erdogan: Islami është fe e paqes

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, ka dënuar ata që përdorin fjalën “Islam” si një mbiemër për të përshkruar terrorizmin, raporton Anadolu Agency (AA).

“Islami është fe e paqes”, tha Erdoğan gjatë një ngjarjeje në një vend në lindje të Londrës, të organizuar nga presidenca e degës së AK Partisë, ku ai dhe Zonja e Parë Emine Erdoğan u takuan me përfaqësuesit e komunitetit turk pas Samitit të NATO-s në Londër.

Duke theksuar se racizmi, diskriminimi, antisemitizmi dhe armiqësia ndaj Islamit kohët e fundit janë rritur në Evropë, Erdoğan tha se lëvizjet e ekstremit të djathtë kryesisht shënjestrojnë muslimanët dhe komunitetin turk.

“Zgjedhjet e fundit për Parlamentin Evropian dëshmuan edhe një herë se politika e identitetit po bëhet gjithnjë e më dominuese në Evropë”, tha Erdoğan, duke shtuar se mediat dhe disa politikanë kanë thelluar këto paragjykime me deklaratat e tyre të papërgjegjshme.

Erdoğan potencoi gjithashtu luftën e Turqisë kundër terrorizmit.

“Ata që mendojnë se mund të disiplinojnë Turqinë me terrorizëm dhe shantazh janë të turpëruar pasi nuk arritën objektivin e tyre”, tha ai.

Erdoğan shtoi se Turqia është “e pavarur në politikën e saj të jashtme” dhe nuk kërkon miratimin e operacioneve për sigurinë e saj.

“Turqia nuk do të largohet nga zona e operacionit ‘Burimi i Paqes’ në veri të Sirisë derisa të pastrohet nga terroristët”, theksoi presidenti turk.

Turqia filloi operacionin “Burimi i Paqes” më 9 tetor për të eliminuar terroristët e YPG/PKK-së nga veriu i Sirisë në lindje të lumit Eufrat në mënyrë që të sigurojë kufijtë e Turqisë, të ndihmojë kthimin e sigurtë të refugjatëve sirianë dhe të garantojë integritetin territorial të Sirisë.

Sipas dy marrëveshjeve të ndara me SHBA-të dhe Rusinë, Turqia ndaloi operacionin për të lejuar tërheqjen e terroristëve të YPG/PKK-së nga zona e planifikuar e Sirisë.

Ankaraja dëshiron që terroristët e YPG/PKK-së të tërhiqen nga rajoni në mënyrë që të mund të krijohet një zonë e sigurtë për të hapur rrugën për kthimin e sigurtë të rreth 2 milionë refugjatëve.

Në fushatën e saj terroriste mbi 30-vjeçare kundër Turqisë, PKK-ja e listuar si një organizatë terroriste nga Turqia, SHBA dhe Bashkimi Evropian (BE), ka qenë përgjegjëse për vdekjen e gati 40 mijë njerëzve, përfshirë gra, fëmijë dhe foshnja. YPG-ja është dega siriane e PKK-së.