Takimi te presidenti Stevo Pendarovski ka përfunduar pa marrëveshje mes liderëve të partive kryesore në vend për datën e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, raporton gazeta LAJM. Marrëveshja nuk është arritur për shkak të dallimeve mes subjekteve maqedonase. LSDM-ja dhe VMRO-DPMNE-ja nuk kanë arritur t’i tejkalojnë dallimet. Partia e Zaevit kërkon që zgjedhjet të mbahen në fund të qershorit, kurse partia opozitare e drejtuar nga Mickoski, kërkon që ato të mbahen në fund të gushtit. “Qëndrimet e dy partive politike maqedonase janë të barikaduara në ekstrem. Njëra është që zgjedhjet të mbahen në fund të qershorit, tjetra për në fund gushtit ose fillim të shtatorit. Ne propozojmë që zgjedhjet të mbahen më 26 korrik pasi në këtë periudhë do të kishim më pak të infektuar dhe do të kishte më pak rrezik për qytetarët. Do të hapen kufijtë dhe misioni për vëzhgimin e zgjedhjeve do të mund të ishte prezent ndërsa KSZH-ja do të kishte afat për të shqyrtuar listën e zgjedhjeve. Sot, fatkeqësisht nuk arritëm zgjedhje dhe ju bëj thirrje partive politike që të arrijmë marrëveshje për datën e zgjedhjeve”, tha kreu i Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela pas përfundimit të takimit. Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti kërkoi nga faktorët politikë në vend të sillen me përgjegjësi për të arritur një marrëveshje për datën e zgjedhjeve. “Të gjithë ndamë shqetësim që situata duhet trajtuar me sukses. Mbi të gjitha për ne me rëndësi është shëndeti I qytetatarëve. E rëndësishme është që situatën ta tejkalojmë duke qenë në komunikim të përhershëm me institucionet shendësore si dhe të arrihet konsensus për një datë të mundshme me sa më pak rrezik për qytetarët. Shumë me rëndësi është që në këto situata të sillemi me përgjegjësi për të arritur te qëllimet kryesore”, tha kreu i BDI-së pas takimit. Ndërkohë, nuk dihet nëse liderët do të ulen sërish në një tryezë të përbashkët për të diskutuar për datën e zgjedheve./Gazeta LAJM
Lajme S’ka datë për zgjedhje, takimi i liderëve përfundoi pa marrëveshje