Emiratet e Bashkuara Arabe lansojnë raketën e parë në Mars

Emiratet e Bashkuara Arabe sot e lansuan misionin e tyre të parë në Mars nga kosmodromi në Japoni i cili është gjithashtu është misioni i parë ndërplanetar i një vendi arab.

Lansimi i raketës së quajtur “Amal” nga qendra hapësinore “Tanegashima” në një ishull të vogël në jug të Japonisë, fillimisht ishte planifikuar për të mërkurën, por u shty për shkak të motit të keq.

Raketa do të mbajë instrumente për ta studiuar atmosferën e sipërme dhe ta monitorojë ndryshimin e klimës në Mars, ndërsa rreth këtij planeti duhet të qarkullojë të paktën dy vjet.

Emiratet e Bashkuara Arabe, theksojnë se në këtë mënyrë për herë të parë do të jetë e mundur të merret një pasqyrë e plotë e atmosferës në Mars në periudha të ndryshme.

“Misioni i EBA-s kushton 200 milion dollarë”, tha Ministrja e Shkencave të Avancuara, Sara Amiri.

Emiratet e Bashkuara Arabe deri më tani kanë lansuar tre satelitë vëzhgues, por asnjëri nuk doli nga orbita e Tokës.

Japonia ka misionin e saj në Mars i cili është planifikuar për vitin 2024.