Edona Llalloshi ka qenë aktore e filmave

“Asgjë nuk e punoj pa e menduar mirë edhe fundin”, thoshte Edona Llalloshi, në intervistën e dhënë për revistën tonë, “Kosovarja”, që në fillim të karrierës saj, në kohën kur ishte nxënëse, pa i mbushur 18 vjet.

Me këtë moto ajo e vazhdoi karrierën në skenën e muzikës tash e më shumë se tri dekada. Dhe, nuk i doli keq.

Ajo sot është emër i veçantë i skenës sonë muzikore, por edhe e pëlqyer dhe e dashur gjithandej ku flitet shqip.

Edona gjatë karrierës së saj bëri shumë këngë, albume, klipe, tek thuajse secili prej tyre është mirëpritur dhe është bërë hit, e që këndohen edhe nga këngëtarët tjerë.

Ju kujtojmë se Edona e ka sfiduar veten edhe në aktrim. Ajo, sa ishte nxënëse, ka luajtur rolin kryesor në filmin “Gjurmët”, të regjisorit të njohur Isa Qosja, rol ky që i dha popullaritet edhe më të madh këngëtares, e që në atë kohë ishte fillestare e estradës sonë muzikore.

Por, me gjithë sukseset në botën e aktrimit, Edona u përcaktua që të vazhdojë me muzikën, me këngën dhe të arrijë aty ku është sot: këngëtare e dashur, e respektuar, e çmuar.

“Jam munduar dhe do të mundohem që në asnjë moment mos të humbi dinjitetin tim, traditën tonë, të mos i zhgënjej njerëzit, të cilët, në çfarëdo forme, më afrojnë besimin e tyre”, janë fjalët e Edonës, të thëna në intervistën e përmendur, e cila u publikua para tridhjetë vjetësh, e që këto fjalë i thotë edhe sot.