Atmosfera festive në janar zgjat më shumë dhe e njëjta është ende e pranishme tek qytetarët, posaçërisht ata të besimit ortodoks, të cilët kanë filluar përgatitjet që të martën të festojnë Krishtlindjet.
Të gjithë nxitojnë sa në një dyqan në tjetrin për të blerë dhuratat për më të afërmit, apo edhe në treg për të blerë fruta e perime që festat t’i presin me tavolinat plot. Disa prej tyre thonë se çmimet nuk kanë shënuar rritje të madhe, e disa do kishin preferuar që të njëjtat të ishin më të ulëta.
“Normale, pak ishin të shtrenjta”.
“Janë rrit pak, por jo shumë”.
“Epo mendoj se nuk ka ndryshim të madh edhe pse sot është ditë e veçantë dhe njerëzit blejnë më shumë dhe shpenzojnë më shumë. Nuk ka ndonjë ndryshim të madh”.
“A ishin më të shtrenjta çmimet sot?- Jo!”.
“Jo, njësoj është gjithçka”.
“Normale janë, siç kanë qenë gjithmonë”.
“Jo, nuk janë shumë të shtrenjta”.
Pavarësisht këtij fakti, shitësit ankohen se nga viti në vit numri i blerësve sa vjen e ulet. Sipas tyre, arsyeja që qytetarët blejnë më pak nuk qëndron tek lëvizja e çmimeve, por tek kriza ekonomike.
“Shumë më dobët, shumë shumë më dobët. Pak çmimet pak edhe kriza ekonomike e bën të veten.
“Kemi pritur të kemi diçka më shumë, por nga viti në vit çdo herë e më pak kemi blerës. Çmimet janë si çdo vit, por njerëzit nuk kanë para, e dimë të gjithë në çfarë gjendje janë”.
“Ka pasur, por ka qenë më dobët se vitet tjera. Nuk është si vitet e kaluara. Çdo vit është më dobët. Njerëzit s’kanë para”.
Nga Qyteti i Shkupit përmes një kumtese u kanë bërë thirrje qytetarëve që të përmbahen nga ndezja e zjarreve në ambiente të hapura me rastin e festës së Buzmit në prag të Krishtlindjeve që të mos ndotet ajri. Më 7 janar besimtarët ortodoksë festojnë Krishtlindjen.