Edhe një vit me mungesë të theksuar të teksteve shkollore

Shpërndarja e teksteve të reja mësimore në shkollat fillore të vendit po zhvillohet me ritëm të ngadalësuar, madje duke përfshirë numër shumë të vogël të librave. Këtë e dëshmojnë udhëheqësit e shumë shkollave fillore të vendit, duke shtuar se numri i librave të mbërritur në institucionet e tyre është jashtëzakonisht i vogël dhe nuk zgjidh thuajse fare problemin me librat e shkatërruara.

Nuk është numri i mjaftueshëm për gjithë nxënësit, kemi nevojë për më shumë libra mirëpo për momentin kemi aq sa kemi. Gjuhë shqipe, gjuhë angleze, maqedonisht, matematikë, varet prej numrit të nxënësve, sa nxënës na vijnë në ndërkohë, edhe ato nxënës janë pa libra, duhet që ne t ju mundësojmë të kenë libra- thotë Samije Alili, drejtore e sh.f “Liria”.

Lidhur me librat e gjuhës shqipe, tani mbas gjysëmvjetorit kanë sjell por një numër të vogël, diku 50 libra vetëm për klasat e pesta. Prej fillimit të vitit nuk kemi pas i kemi menaxhuar ne librat, kemi bërë fotokopje mirëpo kemi edhe mungesë, ka nevojë ende se është numri shumë i madh i nxënësve. I kemi menaxhuar mirëpo gjuhë shqipe nuk kemi pas, as për klasat e shtata, as për klasat e pesta, numër tepër i vogël ka qenë- tha Gylfere Murati, bibliotekare e sh.f “Naim Frashëri”

Përveç Shkupit dhe Tetovës, situata e ngjashme është edhe në Ohër dhe Strugë. Në klasën e tetë të shkollës fillore “Hristo Uzunov” deri më tash janë shpërndarë vetëm dy libra, një për lëndën e matematikës dhe tjetra për kiminë.

“Librat janë mjaft të vjetruara, të grisura, të shkarravitura nga nxënësit para nesh, nga gjeneratat e kaluara. Deri tani, vetëm një nxënës nga klasa e tetë ka marrë libër të ri nga matematika. Edhe një nxënës tjetër nga lënda e kimisë. Të tjerët i kanë të vjetra”.

“Librat, disa janë të mira, disa të dëmtuara. Më të dëmtuara janë të historisë, gjeografi, gjuhë maqedonase dhe në gjuhë gjermane nuk kam libër”.

Në ndërkohë nxënësit gjinden duke bërë fotokopje të disa fletëve që mungojnë në ato libra të lëndëve të caktuara, me ndihmën e mësuesve. Ndoshta nuk mungojnë shumë por është e nevojshme të kemi libra të rinj. Një pjesë e tyre janë shumë të vjetruara. Nuk mund të theksoj një lëndë të caktuar sepse në të gjitha lëndët ka libra të vjetruara, posaçërisht për njësitë mësimore- thotë Olivia Janeva, drejtore e sh.f “Hristo Uzunov”, Ohër

Ministri i Arsimit, Arbër Ademi, një ditë para fillimit të gjysmë-vjetorit të dytë tha për Alsat se shpërndarja e librave të reja do të realizohet në javën e parë të këtij gjysmë-vjetori. Sipas Ademit, për librat në arsimin fillor janë firmosur tri kontrata për 42 tekste shkollore. Me libra të reja do të furnizohen edhe shkollat e mesme. Bëhet fjalë për 68 tekste shkollore, ndërkohë që disa prej tyre janë në revidim e sipër për të cilat edhe janë formuar komisione përkatëse.