Edhe kryetari i Lëvizjes Besa Bilall Kasami ka refuzuar takimin e nesërm të thirrur nga kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti. Besa është për takim por kërkon që paraprakisht partitë parlamentare shqiptare që nuk janë nënshkruese të deklaratës që të deklarohen rreth pozicionit të tyre ndaj deklaratës. Besa propozon takim pas formimit të Qeverisë, raporton Gazeta Lajm.




“Lëvizja BESA si parti nënshkruese e deklaratës së partive parlamentare shqiptare, ndan bindjen e thellë se tryeza e partive politike parlamentare shqiptare është një instrument i fuqishëm i pa shfrytëzuar deri tani në funksion të realizimit të pikave të deklaratës dhe të qëllimeve dhe synimeve të faktorit politik shqiptar nga vitet e 90-ta e këndej.
Lëvizja BESA është e interesuar që së bashku me partitë tjera parlamentare shqiptare të jetësoj tryezën e partive parlamentare shqiptare dhe në këtë funksion e ofron gjithë infrastrukturën politike dhe partiake. Në funksion të kësaj Lëvizja BESA, propozon që:
E para, të kërkohet nga partitë parlamentare shqiptare që nuk janë nënshkruese të deklaratës që të deklarohen rreth pozicionit të tyre ndaj deklaratës, gjegjësisht nëse e pranojnë të njëjtën ata duhet që të jenë edhe nënshkrues të saj (deklaratës).
E dyta, në komunikim mes partive parlamentare shqiptare të përcaktohet agjenda e takimit të radhës si dhe koha dhe vendi i takimit.
Lëvizja BESA edhe njëherë konfirmon qëndrimin e saj parimor që të vendoset një model i cili do vendoste rregull se tryeza e partive parlamentar shqiptare të thirret menjëherë pas themelimit të qeverisë së re, për të ngarkuar partitë pjesmarrëse në qeveri me përgjegjësitë e realizimit të çështjeve madhore në interes të shqiptarëve, poashtu para përfundimit të mandatit partitë shqiptare në qeveri të japin përgjegjësi për realizimin e çështjeve të dakorduara bashkërisht”, thuhet në komunikatën e Levizjes Besa.