Edhe 12 raste të reja me koronavirus në Kosovë, shkon në 106 numri i përgjithshëm

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike në Kosovë konfirmoi të hënën mbrëma edhe 12 raste të të prekurve me virusin COVID-19.

Sipas institutit 5 raste janë nga komuna e Malishevës, 3 nga Fushë Kosovë, 2 nga Prishtina, 1 nga Mitrovica dhe 1 nga Kamenica.

Rastet e së hënës çuan në 106 numrin e përgjithshëm të të prekurve.

Aktualisht 37 persona po trajtohen në spital dhe prej tyre 32 janë në gjendje të mirë, ndërsa njëri më përjashtim të një rasti.

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, në një video mesazh në rrjetin social Facebook, u bëri thirrje mbrëmë qytetarëve që të respektojnë masat e vendosura nga qeveria, duke theksuar se kjo është situata më serioze me të cilën përballet Kosova që nga koha e luftës.

“Këtë ditë, sipas ecurisë që ka pasur ky virus në vendet tjera, do të mund të kemi një shtim të të prekurve nga virusi, e pas këtij muaji shpresojmë që nëse do të tregojmë disiplinën dhe kujdesin e duhur do të fillojmë ngadalë të dalim prej kësaj situate me sa më pak dëme. Le të jemi vigjilentë e ta mbyllim sa më herët historinë e kësaj gjendjeje, për të ja nisur të gjitha punëve që kemi lënë në mes me më shumë vullnet e më tepër besim”, tha ai.

Kryeministri në detyrë tha se po bëhen përpjekje për të ndihmuar funksionimin e bizneseve, të cilat ndërkaq sipas kryetarit të Odës Ekonomike të Kosovës Berat Rukiqi, po përballen me humbje të mëdha për shkak të situatës së krijuar nga koronavirusi.

“Dhjetë milionë euro humbje në baza ditore për ekonominë tonë është jashtëzakonisht shumë, nëse kjo zgjat diku tre muaj kjo i bjen rreth një miliardë euro dëme për ekonominë e vendit, që është pothuajse një e shtata e GDP-së, e të njëjtën kohë ka efekte tjera. Sipas vlerësimeve të fundit rritja ekonomike e parashikuar prej 4.5 për qind në variantin më optimist do të ulet në 2.6 për qind”, tha zoti Rukiqi.

Autoritetet janë vënë në përpjekje për të penguar zgjerimin e infektimit dhe një varg masash që ishin përcaktuar më herët si mbyllja e shkollave, janë zgjatur deri më 6 prill. Deri tash në Kosovë është regjistruar vetëm një rast vdekjeje nga pasojat e virusit, ndërsa një pacient është shëruar.