Drogba ofron spitalin e tij si qendër për Covid-19

Futbollisti  Didier Drogba ka ofruar spitalin e tij në Bregun e Fildishtë, si qendër trajtimi për pacientët me koronavirusin e ri (COVID-19), njoftuan mediat lokale, transmeton Anadolu.

Spitali, i vendosur në qytetin Abidjan, mban emrin e futbollistit të Bregut të Fildishtë, Laurent Pokou, i cili vdiq në vitin 2016.

Kreu i këshillit rajonal Abidjan, Vincent Toh Bi Irie, falënderoi Drogban për lëvizjen patriotike dhe tha se spitali do të jetë shumë i dobishëm në luftën kundër virusit pasi të jetë funksional.

Qeveria kohët e fundit njoftoi se 13 spitale në Abidjan dhe 45 në vend do të përdoren si qendra kundër COVID-19.

Që nga 11 marsi, kur u raportua rasti i parë me koronavirus në vend, 574 persona u diagnostikuan me sëmundjen, 85 prej të cilave janë shëruar ndërsa 5 kanë vdekur.

Në karrierën e tij, Drogba ka luajtur për klubet Galatasaray, Le Mans, Guingamp, Olympique Marseilles, Chelsea, Shanghai Shenhua dhe Montreal Impact.

Ai në nëntor të vitit 2018 u pensionua nga futbolli derisa luante për ekipin amerikan Phoenix Rising.