Do të hetohet vdekja e 24- vjeçarës prej koronavirusit

Vdekja e 24 vjeçares nga Tetova gjatë mbrëmjes së djeshme nga koronavirusi ka shqetësuar opinionin dhe autoritetet shëndetësore. Mjekët janë të shokuar duke pasur parasysh se vajza nuk ka paraqitur asnjë komplikim tjetër shëndetësorë më herët e as peshë të shtuar, shkruan portali SDK.
Drejtoresha e klinikës infektive Maja Stevanoviq për portalin SDK ka thënë se në ditët në vazhdim do të hetohet rasti, fillimisht do të flitet me familjen e më pastaj do të konsultohet edhe ekipi në Akademinë me të cilin bashkëpunon Klinika infektive në hetimet për koronavirusin.
Vajza fillimisht është kuruar në shtëpi me infuzione të rekomanduara nga mjeku amë. Pas përkeqësimit të gjendjes pacientja është testuar në Qendrën mjekësore në Tetovë.
Aty është vërtetuar se është infektuar me virusin dhe është hospitalizuar. Ajo ka qëndruar një javë dhe më pas për shkak përkeqësimit të frymëmarrjes është dërguar në Klinikën infektive në Shkup.
Ditët e fundit para vdekjes janë paraqitur komplikime me zemrën dhe e kanë kuruar infektolog dhe kardiolog. Ka pasur temperaturë, kollitje dhe frymëmarrje të rënduar./SHENJA