Diskutime Macron-Merkel për ringjalljen e ekonomisë së BE-së

Kancelarja gjermane, Angela Merkel dhe presidenti francez, Emmanuel Macron filluan diskutimet mbi ringjalljen e ekonomisë së BE-së, pas ndikimit të krizës së koronavirusit.

Merkel mirëpriti Macron-in në Meseberg, në veri të Berlinit, ku të dy liderët do të zhvillojnë bisedime dy ditë para se Gjermania të marrë presidencën e rradhës të BE-së për gjysmën e dytë të vitit.

Më vonë, të dy liderët do të njoftojnë për rezultatet e takimit.

Në mes të korrikut, Blloku do të diskutojë lidhur me një fond të rimëkëmbjes nga koronavirusi dhe të caktojë buxhetin për të.

Franca dhe Gjermania, si edhe vendet jugore të goditura nga virusi, po mbështesin një propozim të Komisionit Europian për një fond të rimëkëmbjes, duke përfshirë 500 miliardë euro në transferime buxhetore dhe 250 miliardë euro kredi.