Dimitrov: Raportet me fqinjët janë të rregulluar

Është tepër e rëndësishme ajo që Komisioni evropian ka qëndrim parimor në lidhje me gjuhën maqedonase e cila në institucionet evropiane është përmendur së fundmi në vitin 2005 në aplikimin tonë dhe në përgjigjen e pyetësorit, tha ministri i jashtëm Nikolla Dimitrov. Qëndrimi i këtillë i ministrit Dimitrov vjen një ditë pas përcaktimit të kornizës negociuese në të cilën është zyrtarizuar gjuha maqedonase.

“Mes shteteve nuk njihen gjuhët por shtetet, në aspekt të së drejtës ndërkombëtare. Neve nuk na duhet njohje ose vule prej ndonjë shteti sa i përket gjuhës maqedonase. Ne insistojmë të na njohin, të na konfirmojnë të drejtën tonë për vetëpërcaktim, gjë që është e pakontestueshme”, tha Dimitrov.

Në lidhje me dokumentet e publikuara para pak kohe në disa prej mediave greke, se do të ketë problem me MKD dhe kodin MK, Dimitrov tha se kjo është pjesë e balancës së arritur me Marrëveshjen e Prespës.

“Paragrafë për kodin MKD ose MK për të gjitha nevojat, përveç, ka vetëm një përjashtim, për targat e veturave, ky përcaktim nuk lë hapësirë për një interpretim tjetër. Vlerësimi im është se Marrëveshja e Prespës në një pjesë të madhe, veçanërisht për pikat e rëndësishme, po zbatohet, ndërsa për pikat ku kemi ngecje, duhet të ulemi dhe të bisedojmë”, deklaroi më tej Dimitrov.

Dimitrov së bashku me ministrin pa resor për diasporë, Edmond Ademi, e prezantuan projektin “BE për Prespë” dhe Forumin e Prespës për dialog, qëllimi i të cilit është të gjallërohet Rajoni i Prespës dhe të organizohen dialogë ndërkombëtarë që do të mbaheshin më 17 qershor, dita e nënshkrimit të Marrëveshjes së Prespës.