Dimitrov: Ka gjëra për të cilat mund të bisedojmë, por ka gjëra për të cilat nuk ka diskutim

Këto ditë bëjmë gjithçka për ne dhe fqinjët tanë, miqësinë tonë dhe të ardhmen e përbashkët evropiane që të dalim nga këto sfida si fitues, partnerë të fortë të ardhshëm dhe fqinjë të mirë, deklaroi zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane, Nikolla Dimitrov për MIA-n, duke komentuar zhvillimet e fundit në relacionin Shkup-Sofje, por edhe deklaratën e fundit të ministrit bullgar të Mbrojtjes, Krasimir Karakaçanov.

“Karakaçanov ka detyrim dhe të drejtë t’i përfaqësojë pozicionet bullgare, ashtu siç ne kemi detyrim dhe të drejtë të përfaqësojmë pozicionet maqedonase. Por edhe ne edhe ata kemi detyrim të kujdesemi për miqësinë. Dua të theksoj edhe një herë se ka disa gjëra për të cilat mund të flasim dhe disa gjëra për të cilat nuk ka diskutim”, tha Dimitrov.

Ai thotë se as me Bullgarinë, as me ndonjë vend apo organizatë tjetër, nuk mund të negociojmë se kush jemi, çfarë gjuhe flasim dhe cili është identiteti ynë.

“Me fjalë të tjera, nuk ka kompromis për të drejtën tonë për vetëvendosje. Të jesh maqedonas nuk rrezikon askënd tjetër dhe respekti reciprok është baza për çdo miqësi të vërtetë. Këto janë të drejta universale të njeriut, të ngulitura në vlerat e BE-së dhe Unionit duhet dhe mund të zgjerohen vetëm përmes afirmimit të atyre vlerave, jo duke i rrezikuar ato. Në fakt, siç thotë metodologjia e re, “të gjithë duhet të përmbahen nga abuzimi me çështjet bilaterale në procesin e aderimit”, tha Dimitrov.